Deputeti Myslim Murrizi, ditën e djeshme me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, foli rreth votës së emigrantëve teksa nuk munguan sulmet ndaj PS, PD dhe LSI.
Murrizi u shpreh se emigrantët nuk e bëjnë dot ndryshimin për vendin e tyre, pasi ata që janë në krye nuk u kanë dhënë të drejtën e votës. Sipas tij në zgjedhjet e 25 prillit, 3 tufat që qeverisin vendin duke iu referuar PS, PD dhe LSI nuk lejuan emigrantët të votonin pasi atyre nuk ua blinin dot votën.
“Të gjithë emigrantët edhe pse prej vitesh jetojnë e punojnë larg Shqipërisë, duan dhe mendojnë që ky vend të jetë ndryshe. Por siç duket kjo ka bërë që plehrat që qeverisin këtë vend, të mos i lejojnë që ata të votojnë, sepse ndjejnë rrezikun e votës së tyre. Edhe më 25 prill tre tufat që qeverisin Shqipërinë prej 30 vitesh nuk lejuan emigrantët të votonin, sepse nuk i blinin dot”, – u shpreh Murrizi.
Po ashtu, ai tha se 2 nga tufat ankimuan kundër votës së emigrantëve ndërsa një tjetër heshti. Murrizi tha se të treja këto tufa janë hipokrite dhe nuk kanë as dinjitet e as turp për ato çfarë i kanë bërë vendit. Sipas tij në zgjedhjet e tjera të ardhshme, vota e emigrantëve do të mundësoj zhdukjen e plehrave nga politika shqiptare.
“Në KQZ, u bashkuan dy tufa kundra votës së emigrantëve, ndërsa tufa e tretë heshti dhe nuk e ankimoi në KAS apo kolegj zgjedhor, sepse të tre tufat janë njëlloj të pistë, të ndyrë, të pështirë, të korruptuar, hipokrit, mashtrues, pa karakter, pa dinjitet dhe të tria së bashku janë tallur me këta njerëz prej 30 vitesh dhe kanë larguar nga ky vend mbi 2 milion shqiptarë. Zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të jenë, vota e emigrantëve do të qërojë plehrat nga politika”, – tha ai.
Deputeti u shpreh se emigrantët kanë një botëkuptim tjetër për politikën shqiptare dhe prandaj politikanët nuk e lejojnë votën e tyre. Sipas Murrizit, politikanët e dinë se emigrantët nuk i servilosen dot atyre që vjedhin e mashtrojnë shqiptarët.
Diskutime rreth kësaj post