Deputeti i PD, Myslim Murrizi, ka folur sa i përket një marrëveshje mes PD dhe PS. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se ka deklaruar edhe më herët se mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të PD Lulzim Basha, mund të ketë një marrëveshje të fshehtë.
“Kur e thosha unë prej marsit 2019 që janë bashkë Rama me Bashën nuk ngeli kopil në Facebook, nën petkun demokrat pa më quajtur tradhtar. Po tani që e tha Berisha, kush është tradhtari Basha apo Berisha? U kënaqa shumë, që siç e kam artikuluar prej seancës së parë pas zgjedhjeve të 25 prillit që gjoja nuk i njihnin një tufë spurdhjakësh që kanë marrë drejtimin e PD ndodhi sot. Si fishekë gjerdani rreshtuar në radhë, u ngritën në këmbë dhe u betuan para Luljetës së PS, Luli dhe të gjithë Luljetat e PD. Atëherë, a mund ta dinë demokratët dhe shqiptarët pse ikën nga Parlamenti në shkurt 2019 dhe pse dogjën mandatet”, tha ai.
Ndër të tjera, ai foli edhe sa u përket largimeve që ndodhën. Sipas tij edhe këto mund të jenë pjesë e pazarit Rama-Basha.
“Të vetmet “ndryshime” janë që në vend të Gramozit do të jetë Lindita dhe në vend të Erjonit do të jetë Arbeni. A thua që kjo të jetë “fitorja” e të gjithë kësaj beteje prej 27 muajsh? Po Gramozi dhe Erjoni ikën vetë nga postet që kishin, nuk duket që paska pasur ndikim e gjithë “rezistenca” e atyre që këndonin si gjela fushe pas çdo proteste! Apo edhe ikja e Gramozit dhe e Erjonit dhe ardhja e Linditës dhe Arbenit, ikja e Najadës dhe Lefterit, largimi i Ballës, thyerja e herësit nga Xhafa etj, janë pjesë e pazarit Rama-Basha”, tha ai. Sakaq, Murrizi, theksoi se edhe për përjashtimin e Berishës, ky i fundit deklaroi vet se është pazar i Ramës dhe Bashës.
“Se për shpalljen e Berishës “non grata” nga SHBA dhe “non grata” e armik në grupin parlamentar nuk ka nevojë ta them unë më tani, se e tha Berisha vetë që është pjesë e pazarit Rama-Basha, vetëm se datën kur është bërë pazari nuk e tha, ja lë ta gjejnë historianët”, deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post