Muzeu Historik Kombëtar ka nevojë për më shumë vlerësim, si institucion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore. Kjo u pohua nga specialistë, që ishin në takimin me temë “Gjurmë të kulturës Europiane në Shqipëri”, që u zhvillua në MHK në kuadër të muajit të Europës. Aktiviteti u organizua në formën e një tryezë të rrumbullakët diskutimi, ku të pranishëm ishin drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, prof. dr. Neritan Ceka, dr. Ardian Muhaj, dr. Ahilino Palushi, dr. Elio Hobdari etj. Në temat që u diskutuan u fol dhe për problematika të ndryshme, ku vëmendja ishte edhe te muzeu. Në këtë diskutim prof. dr. Neritan Ceka mes të tjerave u shpreh për rëndësinë e Muzeut Historik Kombëtar si institucion i trashëgimisë në vendin tonë. Për arkeologun Ceka, MHK duhet të kthehet në qendër të muzeologjisë dhe pjesa e arkeologjisë shqiptare është e pasur.
“Për sa i përket temës, ne jemi pikësëpari në garë më vetveten për të shkuar drejt një përsosmërie të ndikimit tonë kudo në botë. Orientimin e kemi pasur gjithmonë andej nga vjen drita pra nga perëndimi ndaj dhe unë mendoj se Muzeu Historik Kombëtar ka nevojë për më shumë vlerësim dhe vëmendje si institucioni më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në vend, ai duhet të kthehet në qendrën e muzeologjisë shqiptare. Pjesa e arkeologjisë në Shqipëri është kaq e pasur sa nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e muzeve në botë”, tha prof. Ceka.
Në fjalën e tij drejtori i muzeut dr. Dorian Koçi, u shpreh se ideja evropiane e Ballkanit qëndron në thelb të artikulimit të gjithë ideve të mëvonshme të ndërtuara gjithandej nëpër kontinent. Sipas tij, Gadishulli Ballkanik është në fakt djepi i idesë së qytetërimit evropian dhe i ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Lindje-Perëndim ai u bë shumë shpejt një nga kryeqendrat kryesore të shkëmbimit të këtyre kulturave, duke reflektuar në këtë mënyrë jo vetëm diversitetin e tyre, por dhe rrafshin gjeografik dhe politik ku ato u ngjizën për tu bërë një.
“Është interesant fakti se së bashku me fillimin e këtij qytetërimi të shkëlqyeshëm, të cilit vazhdimisht do ti referohen dhe në shekujt e mëvonshme mendjet më të ndritura të njerëzimit, lind dhe ideja e qytetërimit evropian dhe së bashku me të merr rrugë dhe ideja e një qytetërimi mbarë evropian. Shqipëria edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga perandoria Otomane duke pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më të ngadaltë, por dhe një kompleksitet lidhjesh me Evropën dhe idenë rreth saj”, tha Koçi.
Në takimin me temë “Gjurmë të kulturës Europiane në Shqipëri” dr. Elio Hobdari tha se ne kemi një histori mesjetare, e cila është një nga periudhat me vlerë. Si arkitekt, ndër të tjera ai vijoi se kemi ndikime nga kultura Europiane.
“Historia e shoqërisë Europiane në mesjetë nuk duhet injoruar, pasi ne nuk kemi qenë provincë periferike e perandorisë Bizantine siç ishim për perandorinë Osmane. Tek ne ka ekzistuar një mbivendosje kulturash e hapur sa me lindjen dhe me perëndimin. Kemi një histori mesjetare që është një nga periudhat më me vlerë të vërtetë Europiane. Si arkitekt di të them që në këtë fushë kemi ndikime nga Kultura Europiane dhe jo vetëm nga ajo bizantine. Vlen të përmend këtu kishat e stilit gotik dhe ndikimin bizantin në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Hobdari.
Dr. Ahilino Palushi e vuri theksin tek periudha pasbizantine. Ai tha se periudha pasbizantine këtu tek ne mbyllet me pikturat e motrave Zengo.
“Në botë piktura bizantine njihet si piktura paramoderne dhe mendoj se është një term i goditur pasi piktura pasbizantine si kudo në rajon edhe këtu tek ne në shumëllojshmërinë e afreskeve ka treguar vlerat më të mira të saj dhe na bën të përfaqësohemi denjësisht në botë”, përfundoi ai. Në takimin në MHK folën dhe specialistë të tjerë, ku prof. Theodhor Peçi solli figurën e Joan Kukuzelit, si një përfaqësues i denjë dhe shumë i vlerësuar i artit muzikor bizantin në botë.
Diskutime rreth kësaj post