Rreth një javë më parë një 38 vjeçare nga Irani, pjesë e kampit të muxhahedinëve që qëndron në Tiranë, i dërgoi një letër publike Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për ta vënë në dijeni se babai i saj ka ardhur në kryeqytetin shqiptar dhe planifikon të bëjë komplote kundër MEK.
Të nesërmenn një përgjigje erdhi nga ana e të atit Mostafa Mohammadi dhe mamasë së 38 vjeçares, të cilët pretendojnë se vajza e tyre është rrëmbyer që në vitin 97’ nga MEK dhe se letra e publikuar nuk është shkruar nga vajza e tyre.
Por këtë të shtunë 38 vjeçarja Somayeh Mohammadi është përgjigjur po përmes një letre publike duke ritheksuar se i ati është një agjent i Inteligjencës së Iranit dhe gënjen. Sipas saj Mostafa Mohammadi ka ardhur në Shqipëri për të kryer një sulm terrorist.
Nga ana tjetër deri më sot nuk ka patur një reagim zyrtar nga ana e Ministrit të Brendshëm në lidhje me këtë çështje.
Më poshtë letra e dyte e Somayeh Mohammadi:
Gjatë javës që kaloi, agjenti i ministrisë së Inteligjencës së Iranit, Mostafa Mohammadi i cili fatkeqësisht është edhe babai im ka folur dhe ka përsëritur gënjeshtrat e tij ndaj meje. Unë u trondita se si regjimi iranian me ndihmën e këtij njeriu, përmes gënjeshtrave dhe mashtrimeve, po përpiqet të më keqpërdorë për të influencuar opinionin publik kundër Muxhahedinëve, MEK, me qëllimin final për të përgatitur rrethanat për një sulm terrorist kundër tyre në Shqipëri.
Tani jam 38 vjeç. Në vitin 1998, në kërkim të lirisë dhe demokracisë për Iranin, vullnetarisht dhe me pëlqimin dhe nxitjen e prindërve të mi, shkova në Kampin Ashraf, Irak, për t’u bashkuar me Muxhahedinët, MEK. Babai dhe nëna vinin për të më parë në Kampin Ashraf, Irak, sa herë që donin. Pas gjashtë vitesh, në 2004, kur zbulova se Mostafa Mohammadi kishte filluar të bashkëpunonte me Ministrinë e Inteligjencës (MOIS) kundër MEK, i ndalova takimet me të.
Që nga viti 2004, në mënyrë që të më detyronte të dorëzohesha dhe të bashkëpunoja me regjimin iranian, regjimi iranian përmes Mostafa Mohammdi-t, nisi një fushatë të gjerë duke thënë se që nga koha që iu bashkova MEK, jam marrë peng nga ata dhe tani jam një e burgosur e MEK. Tani ai pretendon se qeveria shqiptare po i ndihmon MEK për të më mbajtur të burgosur.
Gënjeshtrat qesharake të Mostafa Mohammadi-t se për 20 vjet jam mbajtur peng nga MEK, dhe se qeveria shqiptare po ndihmon MEK të më mbajë të tillë, janë kaq absurde sa as një fëmijë me të meta nuk do t’i besonte. Fakti është që unë, si person i lirë, jam shumë e lumtur që jam në një vend të lirë si Shqipëria, me njerëz shumë të dashur dhe mikpritës, por ka dy çështje që më shqetësojnë shumë. Së pari, shtypja e bashkatdhetarëve të mi në Iran, sidomos e grave që janë nën shtypje sistematike nga një regjim fanatik dhe radikal. Një regjim që ekzekuton dhjetra njerëz çdo ditë në emër të Islamit, dhe një regjim i cili ka numrin më të madh të ekzekutimeve për kapita në botë. Së dyti, nuk e mendova kurrë se ndërkohë që regjimi iranian nuk mundi të më kapte në Iran, do të kishte tani një mundësi të tillë në Shqipëri për të më torturuar përsëri psikologjikisht.
Ai ka ndërmarrë pikërisht të njëjtën fushatë në Irak. Deklarata e Z. Ëarren L. Creates, Kreut të Grupit të Ligjit të Imigracionit të Kanadasë, për sa i përket masave të ngjashme që ata ndërmorën në Irak, nxjerr qartë në pah të gjitha gënjeshtrat e Mostafa Mohammadi-t. Deklarata origjinale është bashkangjitur.
Pjesë e deklaratës së Z. Ëarren L. Creates, Kreut të Grupi të Ligjit të Imigracionit të Kanadasë:
“Në 1997, Znj. Somaiyeh Mohammady, një banore e përhershme e Kanadasë, u largua nga Kanadaja me mbështetjen e prindërve të saj për të shkuar në Irak, ku u bashkua me Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI).
Të dyshuar se mbështeten nga regjimi fondamentalist iranian, prindërit e Znj. Mohammady janë përpjekur për vite të tëra të vërtetojnë se vajzës së tyre i ishte bërë shpëlarje truri dhe mbahej kundër vullnetit të saj, e grabitur nga PMOI. Pa miratimin e saj, prindërit e saj sollën madje një aplikim përpara një gjyqi kanadez, Bordit të Imigracionit dhe Refugjatëve, për të siguruar rikthimin e saj në Kanada. Gjyqi u mbajt në Toronto më 9 maj 2006. Strategjia e prindërve dështoi. Znj. Mohammady dëshmoi nga Iraku përmes telefonit, nën betim, dhe në praninë e vetëm një Komandanti amerikan, që ajo ishte mirë në Irak, rehat mes kolegëve të saj të PMOI, dhe nuk kishte ndërmend aspak të kthehej në Kanada. Gjyqi Kanadez i Imigracionit vendosi më 19 shtator 2006 se Znj. Mohammady ishte bashkuar me radhët e PMOI vullnetarisht dhe me pëlqimin e prindërve të saj. Gjyqi vendosi gjithashtu se ishte e qartë që Znj. Mohammady kishte qenë me kohë një anëtare e përkushtuar e PMOI dhe se dëshironte të rrinte me kolegët e saj të PMOI në rehatinë e Kampit Ashraf në Irak, e jo të rikthehej në Kanada, dëshirë kjo vetëm e prindërve të saj. Seanca gjyqësore kanadeze rishikoi të gjitha dëshmitë dhe nxori si përfundim se Znj. Mohammady nuk i ishte bërë shpëlarje truri dhe as nuk mbahej atje kundër dëshirës së saj.
Dy zyrtarë të lartë kanadezë nga Ambasada Kanadeze në Amman, Jordani, shkuan në Irak më 24 janar 2008, për t’u takuar me Znj. Mohammady në Kampin Ashraf. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte të intervistonin Znj. Mohammady në mënyrë të pavarur, për të përcaktuar edhe një herë nëse pretendimet e prindërve të saj mund të ishin të besueshme. Zyrtarët kanadezë i ofruan Znj. Mohammady lehtësira për rikthimin në Kanada, të cilat ajo i refuzoi. Në vijim të këtij takimi, zyrtarët e lartë shkuan në Baghdad për t’u konfirmuar prindërve të Znj. Mohammady dëshirën e saj të fortë dhe të shprehur lirisht për të qëndruar në Irak, Ashraf, mes radhëve të PMOI. Mendohet se zyrtarët kanadezë i rekomanduan gjithashtu prindërve të zonjushës që t’i japin fund fushatës së tyre të gabuar dhe të largohen nga Iraku. ”
Siç e shihni, Mostafa Mohammadi, në emër të MOIS, ka ndërmarrë krejtësisht të njëjtin skenar në Irak, dhe prania e tij në Shqipëri, në kundërshtim me pretendimet e tij se është këtu për një vizitë familjare apo për të gjetur vajzën e tij të humbur, ka për qëllim të përgatisë terrenin për akte terroriste kundër MEK, opozitës demokratike ndaj këtij regjimi. Prania e tij në Irak ishte për të përgatitur terrenin për vrasjen e miqve të mi më të mirë, me të cilët kam jetuar bashkë ditë e natë. Edhe unë vetë kam qenë nën sulmim të vazhdueshëm me raketa dhe mortaja nga agjentët e regjimit iranian në Irak dhe në shumë raste i kam shpëtuar vdekjes për një qime.
Tani, pas parandalimit të aktit terrorist të regjimit iranian në Paris dhe pas arrestimit të diplomatit terrorist iranian në Gjermani më 30 qershor, regjimi iranian e ka dërguar Mostafa Mohammadi-n nga Parisi në Tiranë dhe po përqëndrohen në Shqipëri. Për këtë arsye dhe për shkak të torturës psikologjike që më është bërë nga agjenti i regjimit iranian, unë i shkrova Ministrit të Brendshëm shqiptar dhe i kërkova përjashtimin e Mostafa Mohammadi-t nga Shqipëria.
Somayeh Mohammadi
Diskutime rreth kësaj post