Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot se nuk do të bisedohet me askënd për pronat e Kosovës.
Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili dje në veri të Kosovës tha se për Trepçën do të bisedohet në Bruksel, Mustafa tha se për pronën do të vendoset në Kosovë dhe se prona e Kosovës, nuk do të dialogohet me askënd.
Ndërsa sa i përket vizitës së Vuçiç në veri dhe Gazivodë, Mustafa tha se nuk i jep rëndësi deklaratave të tilla ditore e të rastësishme
“Sa i përket pronës, me Kushtetutë dhe pako të Ahtisarit është parashikuar shumë qartë se çdo gjë që është në territorin e Republikës së Kosovës është pronë e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye dhe ne nuk po i japim rëndësi deklaratave ditore ose javore ose të rastësishme që i japin të tjerët. Sepse ne e dimë çfarë është e jona, ne do ta zhvillojmë në harmoni me kushtetutën. Do ta zhvillojmë dhe këtë kompani sepse e konsiderojmë shumë të rëndësishme dhe e konsiderojmë interes të veçantë për publikun”, tha Mustafa.
Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës zgjedhja e presidentit Hashim Thaçi është bërë në pajtim me Kushtetutën e vendit, Mustafa tha se një vendim i tillë ishte i ditur, pasi nuk ka pasur asnjë shkelje në këtë proces.
Këto deklarata Mustafa i bëri gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.
Diskutime rreth kësaj post