Ndërtimi ilegal i murit në veri i ka kontribuar shtimit të tensioneve mes kosovarëve e serbëve, duke rrënuar kështu çdo “arritje të deritashme “, në bisedimet Beograd –Prishtinë të zhvilluara në Bruksel më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian(BE). Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në vend. Sipas tyre Qeveria duhet ta rrënojë sa më shpejt murin që të tregojë sovranitetin e saj karshi Serbisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Drejtori i “Rock Foller Brothers”, në Kosovë, Haki Abazi ka vlerësuar se ndërtimi i murit në veri do të jetë mollë sherri në nivelin politik. “Përderisa në formë të hapur dhe të heshtur gjithashtu është përkrahur veprimi i qëllimeve politike në terren në anën tjetër është arrestuar opozita, janë përdorur njësi speciale për të shtypur protestën e opozitës dhe qeveria është mbyllur për qytetarët”, ka shtuar Abazi.
Njohësi i çështjeve politike vlerëson se veprimi i palës serbe është indikacion i tentimit për ndarjen e vendit në baza etnike. “Muri është një indikacion dhe simbolike e tentimit për të ndarë vendin në baza etnike dhe për të paraqitur pozicionet e kundërshtuese. Meqë ky mur që është cilësuar i papranueshëm edhe nga BE dhe SHBA nuk është larguar në dy javët e para, do të jetë një problem shumë i madhe dhe vend përplasjesh në të gjitha nivelet”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, veprimi i serbëve është taktikë për të blerë kohë dhe për të larguar vëmendjen nga implementimi i marrëveshjeve. Derisa Abazi thekson se viti 2016 do të mbahet mend për rrëshqitjen e konfliktit mes Kosovës e Serbisë edhe përkundër asaj që dialogu është duke vazhduar. “Marrëveshjet e arritura kanë shënuar një afrim në letër por një distancim në terren dhe përkeqësim të pozicioneve duke ekspozuar kështu mungesën e vullnetit politik të palëve dhe instrumentalizimin e skajshme të qytetarëve për të polarizuar edhe më tutje qëndrimet në praktikë”, ka përfunduar Abazi.
Mushkolaj : Institucionet duhet ta tregojnë forcën e ligjit
Ndërsa analisti politik në vend, Imer Mushkolaj vlerëson se institucionet kosovare duhet ta tregojnë forcën e ligjit karshi murit ndarës. “Muri duhet gjithsesi të largohet. Institucionet kosovare duhet të tregojnë forcën e ligjit për ta larguar murin që simbolizon ndarjen e vendit”, ka thënë Mushkolaj.
Siç thotë Mushkolajt, nëse muri nuk largohet atëherë del se Qeveria po i nënshtrohet vullnetit të Beogradit. “Nëse muri nuk largohet, atëherë mund të konsiderohet se Qeveria e Kosovës i është nënshtruar vullnetit të Beogradit dhe është e pafuqishme t’i mbrojë interesat e qytetarëve të vendit. Askujt nuk i duhet një qeveri që do të lejonte murin e Mitrovicës”, ka përfunduar Mushkolaj.
Tahiri : Muri në Mitrovicë nuk është problem
Për dallim prej këtyre, politologu, Ramush Tahiri mendon se muri në Mitrovicë nuk është problem, por siç e quan ai, simbolikë e keqe,“Nuk e shoh si problem murin ne një rrugë të Mitrovicës. Muri në rrugë ose mbi urë është simbolikë e keqe”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, vetë marrëveshja në Bruksel e ka paraparë që ura mbi lumin Ibër të jetë e kalueshme për qytetarët.“Marrëveshja në Bruksel e ka paraparë që ura mbi lumin Ibër të jetë e kalueshme për qytetarët por gjithashtu që nga ura të mos mund të kalohet me vetura në rrugën Kral Petar e cila me vendim të Komunës së Mitrovicës veriore është shpallur zonë e këmbësorëve”, ka përfunduar ai
Diskutime rreth kësaj post