Nga Andi Bushati
Sot teksa dëgjoja ditirambet që Lulzim Basha i thurte PD-së së drejtuar prej tij në Kavajë, në hapje të fushatës elektorale në PD, më ndodhi një gjë që rallë e kisha provuar në vitet e gjata të këtij profesioni. Papritmas e kapa veten duke fshirë njëri pas tjetërit paragrafet e artikullit që sapo kisha nisur.
Teksa më buçisnin në vesh thirrjet se PD-ja qe e vetmja forcë që kishte rrezistuar, që kishte treguar qëndresë vendosmëri dhe moral, në mënyrë automatike kisha shkruar: po atëherë si firuan 200 mijë votues?
Teksa më shurdhonte zëri që pretendonte se Rama bëri kërdinë me blerje zgjedhësish, isha munduar të argumentoj: Po t’i kur dole nga çadra dhe bëre mërrëveshjen me Ramën, na garantove se asgjë e tillë nuk do të ndodhte?
Teksa më kumbonte nga TV pretendimi se zgjedhjet ishin përcaktuar nga bandat dhe droga, isha përpjekur të ngrej pyetjen: Po pse atëhere nuk pranove paketën McAllister, që të jetpte drejtorët e policisë, por bëre pazar me Ramën duke marrë drejtoritë ku kishte para?
Kisha shkuar edhe më tej. I kisha përmendur liderit të ngrirë të PD-së se kishte bërë teatër kur ishte futur në çadër; Se e kishte përsëritur dyfish këtë one man show edhe kur kishte dalë prej saj; Se gjithkush nga ata që e kishin mbështetur kauzën e protestës për zgjedhjeve të lira, duke pretenduar se me Ramën që ka kapur bandat, oligarkët dhe mediat, ato nuk mund të zhvillohen, pra se të gjithë ata, i thanë njëzëri kur doli nga çadra se po shkonte drejt katastrosës; Se të gjithë ata u habitën që kryeministrin që e kish vizatuar si armik, në fushatë e paraqiste si partner; Se të gjitha ata nuk u besonin veshëve kur e dëgjonin që sulmonte të njëjtët kundërshtarë që sulmonte dhe ai, dhe fliste për tepsinë dhe partitë e vogla po aq sa ai.
Vazhdova edhe me të tjera që në fakt mëtonin të argumentonin se Lulzim Basha ishte fajtori i vetëm i kësaj katastrofe, se ai ishte treguar një populist i rëndomte në çadër dhe një grykës i pangopur pasi e mbylli atë dhe bëri paktin e 18 majit.
Shkova edhe më tej, i kujtova se ai po i mohon rivalëve të vet në PD të gjitha gjërat që i kërkonte Ramës kur protestonte në bulevard. I përmenda se kjo shurdhëri për të mos dëgjuar asnjë kritikë vetëm se do të dërmojë opozitën edhe më keq, madje në mënyrë të pakthyeshme.
Por, në përpjekjen sizifiane për të shtyrë për lart gurin e argumentave që rrëzohej sërish përballë autizmit të Bashës, papritmas mu faneps pyetja: e çka mbetur pa i thënë këtij njeriu?
Ç’mund t’i thuhet më tepër, se ato që ia kanë numëruar kundërshtarët e tij në parti si Topalli, Patozi, Bregu e Imami?
Ç’mund t’i thuhet më tepër (po ta zëmë se të parët janë në konflikt interesi) se ato që e kanë fshikulluar mbështetësit e çadrës si kolegët e mij, Shkullaku, Gjekmarkaj e Lubonja?
Teksa e dëgjoja Bashën të fliste nga Kavaja sikur qe në një garë të vërtetë, teksa si besoja veshëve kur më kumbonin fjalët qëndresë, moral, besim, blerje, banda, fillova t’i fshij paragrafët që kisha shkruar.
Eshtë e kotë që me këtë njeri të merresh seriozisht mendova. Ai të fyen inteligjencën po të përballesh me argumenta. Ai të ofendon logjikën po t’i kërkosh koherencë dhe parime.
Ai sillet si një aktor që nuk skuqet për atë që ka bërë, që nuk zverdhet për atë që ka thënë, që bën sikur nuk është ai kur i kujton të shkuarën e afërt.
Sepse Basha tashmë ka një model. Një model që ngadhënjeu. Ai tani e di se një garë politike mund të fitohet dhe vetëm me slloganin: “Timonin e dua për vete”. Prandaj ai po bën me PD-në, atë që Rama bëri me Shqipërinë. Prandaj ai deklaron “unë ngrihem, por nuk iki”. Prandaj ai jep argumente qesharakë kur flet për gafat e të shkuarës dhe duket fëmijënor kur imagjinon fitoret e së ardhmes. Ai nuk do të flasë as për bilanc, as për premtime të hedhura në erë dhe as për Bashën e çadrës. Ai tani po sillet si një tjetër ndaj nuk është aq e lehtë t’a marësh seriozisht.
Diskutime rreth kësaj post