Prej më shumë se 40 ditësh tashmë, çadra e ngritur për të ndërsyer popullin kundër pushtetit është shndërruar në një ngrehinë ogurzezë, nga e cila Basha duket se nuk po di të dalë më.
Ndërsa letargjia e fjalimeve me “gogolin” e pushtetit përsëritet përditë si një kortezh funebër mbi trupin e shkallmuar të PD-së, duket se çadra është shndërruar në një çiban që nuk i bën më përshtypje askujt. Kryeqytetasit kalojnë atypari, e pakkush prej tyre merr mundimin të kthejë kokën drejt atyre dhjetëra syresh protestuesish të rreckosur, që me dëshpërimin e tyre të ligjshëm mishërojnë gjendjen e mjeruar në të cilën është katandisur dikur partia e tyre e “lavdishme”.
Askush nuk ka më asnjë dyshim se çadra ka dështuar në misionin e saj. Të parët ishin amerikanët që kërkuan rikthimin në Parlament, pastaj Merkel e tha qartë se politika nuk bëhet nga çadra. Në Tiranë mbërritën emisarët e BE-së, Mogherini e Flekenshtain, që thanë me gojën e tyre se debati duhej zhvendosur në Kuvend. Të fundit, për nga radha, ishin aleatët e Partisë Demokratike, të gjithë simotrat e saja europiane, që në Kongresin e Partive Popullore, në 29 mars dënuan qëndrimin e Bashës dhe iu lutën që të mos diskretitojë më të djathtën europiane duke u fshehur zgëqeve.
Sot çadra është braktisur nga të gjithë, por jo nga LSI. Partia e Ilir Metës është e vetmja që thotë se “nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën”. Duke krijuar debate të paqëna, si ai i zgjedhjeve në Kavajë ku LSI nuk do të konkurrojë pasi nuk do të ketë zgjedhje për këshillat bashkiakë, partnerët e vegjël të pushtetit duket se po zhvendosin qëllimisht vëmendjen nga dy afate që qëndrojnë mbi kokën e tyre si “shpata” e Arkimedit.
Në 10 prill skadon afati i partive për t’u regjistruar në KQZ, ndërsa në 19 prill skadon afati për regjistrimin e koalicioneve. LSI është mjeshtre e pazareve të çastit të fundit, por duke mbështetur nga njëra anë çadrën, e duke heshtuar nga ana tjetër për zgjedhjet e tij, Meta dhe “dishepujt” e tij po bëhen pjesë e një paradoksi të madh.
Nga njëra anë, ata deklarojnë se mbështesin reformën në drejtësi, në të njëjtën kohë që mbajnë me “oksigjen” çadrën që pengon këtë reformë. Nga ana tjetër mburren për rolin e tyre të suksesshëm në qeverisjen e vendit, teksa përditë një anëtar i rastësishëm i LSI del për të kritikuar qeverinë ku ata bëjnë pjesë (për t’u përgënjeshtruar pastaj me përpikmëri nga vetë LSI).
Është e qartë që ky qëndrim i dyfishtë është pjesë e një përllogaritje të hollë elektorale, por LSI nuk ka të drejtën që në emër të parimit “të shitemi sa frëngu pulën” të mbajë peng fatet e vendit. Çadra sot nuk është më vetëm një aksion opozitar, por “një çiban” që efektivisht po bllokon të ardhmen europiane të vendit. Pa dyshim, deri më tani, gështenjat i ka nxjerrë nga zjarri Lulzim Basha, por me afrimin e afateve të regjistrimit në KQZ, bashkë me oksigjenin e çadrës po mbaron edhe afati për akrobacitë politike të LSI-së. Ata tani duhet të vendosin dhe këtë s’duhet ta bëjnë as për PS-në dhe as për PD-në, madje as për faktorin ndërkombëtar, por në radhë të parë për veten e tyre.
E kjo sepse çadra po shndërrohet përditë e më shumë në një “gropë thithëse”, ku Basha është duke mbyllur karrierën e tij politike. Është folur shumë për çadrën e ngritur përpara zyrës së Kryeministrit, por kemi harruar se ajo është ngritur edhe përpara zyrës së kryekuvendarit. Nga zyra e tij, Ilir Meta mund të shohë një çadër poshtë vetes dhe një Kryeministër përballë. Rruga për t’u takuar me Kryeministrin kalon përmes apo matanë çadrës. Zgjedhjet janë aty, për fat të mirë ato nuk mund të shtyhen më shumë…/Lexo.al
Diskutime rreth kësaj post