Një javë pas tërmetit shkatërrimtar, në Turqi ende nxirren njerëz të gjallë nga rrënojat. Shpëtimi i 23 vjeçarit Huseyin Seferoglu, të bllokuar për 6 ditë e gjysmë nën rrënoja në qytetin e Antakiasë, u etiketua menjëherë si mrekulli nga ekipet e shpëtimit e nga mediat.
Mes lotësh, babai i tij rrëfeu se e kishte ndjerë në zemër që i biri ishte ende në jetë. Ky ishte megjithatë i vetmi rast që i jep zemër punonjësve të emergjencës të mos dorëzohen, por të vazhdojnë kërkimet me të njëjtin ritëm. 34 vjeçari Tolga Fakioglu u shpëtua në Defne të provincës së Hatayt pas 155 orësh nën gërmadha; një 21 vjeçare e identifikuar vetëm si Rukiye, u gjet pas 153 orësh.
“Mbijetova duke pirë pika uji të ndotur. Në fund, e humba shpresën se dikush do të më nxirrte prej andej” , tregon Ibrahim Zakaria, punonjës i një dyqani celularësh, i cili u nxor pas gati një jave dhe u dërgua në të njëjtin spital ku është shtruar dhe nëna e tij. Akoma edhe më shpresëdhënës është lajmi i fundit i përcjellë nga CNN: Sot u shpëtua pas 175 orësh një grua e varrosur për së gjalli në rrënoja në Hatay, teka ekipeve të shpëtimit atje iu bashkuan edhe zjarrfikës nga Stambolli dhe minatorë.
Dhjetëra mijëra punëtorë të shpëtimit po vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë rrënduar gjendjen e miliona personave që tani kanë nevojë për ndihmë. OKB-ja ka paralajmëruar se të paktën 870.000 persona kanë nevojë urgjente për streha të ngrohta në mbarë Turqinë dhe Sirinë.
Vetëm në Siri, deri në 5.3 milionë persona mund të mbesin të pastrehë. Tërmeti prej 7.8 ballësh – që u pasua nga disa tërmete të tjera të fuqishme – në Turqi dhe Siri, është fatkeqësia e shtatë më vdekjeprurëse e këtij shekulli. Një tërmet me magnitudë të ngjashme në Turqi më 1999 i mori jetën 17 mijë personave.
Diskutime rreth kësaj post