Partia Demokratike ditën e sotme i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë kullën “Mount of Tirana”, e cila pritet të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina, përmes një postimi në Facebook shkruan se SPAK duhet të hetojë me seriozitet kullën Mali i Tiranës, pasi paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton. Po ashtu, Karabina kërkon të vijojë hetimet deri në fund për inceneratorët.
Sipas saj, politikanët duhet t’i nënshtrohen procesit të Vettingut.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike edhe njëherë shpreh shqetësimin e saj për përfshirjen e Qeverisë Rama në aferat korruptive ku qartas evidentohet lidhja e politikës me krimin e organizuar.
Si në rastin e incerenatorëve, ku hetimet e deri më tanishme të SPAK kanë vërtetuar lidhjet direkte të ministrave të Ramës me vjedhjen e shekullit, edhe në rastin e ndërtimeve në Tiranë duket qartazi se paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton.
Partia Demokratike dhe Kryetari i saj z.Lulzim Basha i bëjnë thirrje Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që të vijojë punën në hetimin deri në fund të incerenatorëve dhe çdo politikani apo individi të implikuar në të.
Sikundër e ftojmë SPAK të hetojë me seriozitet dhe çdo ndërtim, përfshirë dhe kullën më të re në mes të Tiranës (Mali i Tiranës).
Fijet e dukshme dhe të padukshme të politikës dhe pastrimit të parave të botës së krimit janë baza mbi të cilën është ndërtuar dhe qëndron në këmbë pushteti i Edi Ramës.
Vetëm këputja e këtyre fijeve do të mund ta çlirojë politikën nga pengmarrja e krimit dhe t’i krijojë shqiptarëvë hapsirë për të përmirësuar jetën e tyre.
Për këtë, Partia Demokratike ka prezantuar dhe inisiativat e saj:
-VETTINGU i politikanëve, “Ndiq paranë dhe lidhjet me krimin”, do të pastrojë politikën nga të korruptuarit për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit në mënyrë që politikanët mos jenë më në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminalë të tyre, por në shërbim të interesit publik;
-Miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, jo vetëm për DENIMIN e korrupsionit, por dhe SEKUESTRIMIN e pasurive që vijnë nga këto afera që fshihen pas oligarkëve.
Partia Demokratike është në betejë të papajtueshme me korrupsionin!
Diskutime rreth kësaj post