Dy tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë kanë qendruar për më shumë se 8 orë në radë, në pritje të përmirësimit të kushteve të motit dhe atyre detare.
Bashkë me to, më shumë se 400 udhëtarë kanë pritur sot në ankth për më shumë se 8 orë në det në pritje të ankorimit.
Mjetet lundruese kanë mbërritur në Vlorë mëngjesin e të martës, por për shkak të motit të keq, shoqëruar me erë të fortë, nuk janë ankoruar dot në kalata. Megjithë përpjekjet, ka qenë e pamundur që tragetet të afrohen në port dhe të realizonin procesin e ankorimit.
Shefi i Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Vladimir Alikaj, tha për ATSH-në se, forca e dallgëve ka arritur në më shumë se 5-6 ballë, era me shpejtësi 10-15 m/sekondë, çka ka qenë e rrezikshme për të tentuar ankorimin.
Në këto kushte, dy tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë kanë qëndruar në radë në pritje të përmirësimit të kushteve të motit dhe atyre detare. Vetëm rreth orës 15.00, mjetet lundruese u ankoruan në kalata dhe u realizua përpunimi i tyre në një kohë të shkurtër dhe nisja në itinerarin e kthimit drejt portit italian të Brindisit. Bashkë me udhëtarët, në portin e Vlorës është sjellë edhe trupi pa jetë i një personi, në nderim të të cilit, është takuar disa herë sirena.
Ndërkohë, moti i keq, shoqëruar me erëra të forta, ka shkaktuar probleme në disa akse rrugore, mes të cilave në segmentin që lidh Vlorën me Zvërnecin, ku kanë rënë pemë, që kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Po ashtu, kanë rënë pemë edhe brenda qytetit, ndërkohë që, një person është lënduar për këtë shkak, në lagjen periferike “24 maji”.
Reshjet e shiut nuk kanë qenë intensive dhe për rrjedhojë nuk janë rregjistruar dëme, sikundër në zona të tjera të vendit.
Ndërkohë, shtabi i emergjencës pranë institucionit të Prefektit të Qarkut po koordinon përpjekjet për marrjen e masave në kushtet e përkeqësimit të mundshëm të kushteve të motit.
Diskutime rreth kësaj post