Nga Susanne Spröer
30 prill 1945, pak ditë para fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në bunkerin e kancelarit të rajhut në Berlin, Adolf Hitler, vret veten me një plumb në kokë. Njeriu, nën diktaturën e të cilit Gjermania dhe bota u zhytën në një luftë mizore dhe që vrau gjashtë milionë hebrenj. Se çfarë kishte planifikuar ky njeri, kjo mund të ishte mësuar rreth 20 vjet më parë. Gjatë qëndrimit në një burg në vitin 1924 Hitleri kishte nisur të shkruante një libër: “Mein Kampf”. Një vepër cytëse plot urrejtje ndaj hebrenjve, me të cilën u shpall njëkohësisht lufta brutale pushtuese kryesisht në Evropën Lindore.
Ky libër tashmë del në shitje të lirë në tregun gjerman pasi 70 vjet pas vdekjes ka skaduar afati i të drejtave të autorësisë. Deri më sot landi shtet i Bavarisë si trashëgimtar i veprës e kishte penguar ribotimin. Vendimi argumentohej, se synohet të ndalohet përhapja e mendësisë nacionalsocialiste dhe gjithashtu duhet pasur kujdes për viktimat e diktaturës nacionalsocialiste.
Një Gjermani tjetër
A duhet të kemi ne frikë nga ky libër dhe fjalët e tij përçmuese ndaj njeriut? Fjalët mund të jenë të forta dhe të rrezikshme. A është e papërgjegjshme, që tani këtë libër të vrasësit në masë Adolf Hitler ta lejosh të shitet lirisht nëpër librari?
Unë mendoj: jo. Absolutisht jo. Sepse Gjermania ka ndryshuar. Gjermania e shekullit të 21-të nuk është më ajo e Republikës së Vajmarit, në të cilën demagogët e djathtë me ndihmën e një propagande të rafinuar mundën t’i manipulojnë masat. Asokohe shumica e gjermanëve ende karakterizohej prej strukturave autoritare të perandorisë, që ishin skeptike madje edhe refuzuese kundrejt demokracisë së re.
Por sot njerëzit sërish brohorasin parulla të djathta, mund të thonë disa kritikë. Po, kjo është e vërtetë, këtë e tregojnë demonstratat e lëvizjes Pegida apo postimet plot urrejtje në rrjetet sociale. Por sot këto nuk përfaqësojnë shumicën. Shumica e gjermanëve qëndron solide në themelet e demokracisë. Gjermania është – e këtë e shohim në radhë të parë në planin krahasimor ndërkombëtar – një demokraci e qëndrueshme. Për këtë ne duhet të vazhdojmë të luftojmë gjithmonë, edhe kjo është e qartë. Por demagogjia e “Mein Kampf” 70 vjet pas luftës nuk ka përse të ngjallë më frikë.
Demaskim përmes komenteve
Demaskimi si demagogji është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndaj është mirë që “Mein Kampf” tani botohet direkt në një edicion shkencor, për të cilin ka punuar me vite një ekip historianësh të Institutit gjerman për Historinë bashkëkohore (IfZ). Komentet e rendisin përmbajtjen e origjinalit në sfondin historik, plotësojnë informacionet lidhur me personat dhe kontekstet dhe “ia presin fjalën demagogut Hitler”, siç ka formuluar drejtori i IfZ, Andreas Wirsching. Gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat nxitëse paraqiten hapur si të tilla.
Kjo ia heq librit aurorën e rrezikshmërisë, që deri më sot justifikonte ndalimin dhe tabuizimin e tij. Keqinterpretimi mitik nga radikalët e djathtë ka një fund, nëse “Mein Kampf” nxirret nga errësira e fshehjes në dritën publike. Kushdo tani mund të krijojë vet një mendim prej vetekspozimit autobiografik të Hitlerit dhe tezave të tij përçmuese ndaj njeriut, që shpesh janë formuluar në një gjuhë të vështirë për t’u kapërdirë e madje çuditërisht bombastike. Kushdo mund të konfrontojë vetveten dhe demagogjinë e djathtë me argumente logjikë dhe të japë gjykimin e vet. Që grupet e djathta mund ta keqpërdorin edicionin e komentuar, është gati e pamundur.
Botimi i ri -ai antitoksik
Kjo për faktin se “Mein Kampf” natyrisht që prej kohësh mund të gjendet kudo – mjaftojnë vetëm disa klikime në internet. Pikërisht për këtë arsye është edhe më e rëndësishme, që edicioni i komentuar tani të dalë si “antitoksik” ndaj botimeve që qarkullojnë në rrjet. Se sa është arritur kjo, do ta tregojë analiza e kujdesshme e edicionit. Mbetet interesante të mësohet edhe se kush do ta blejë e do ta lexojë atë. A do të jetë një publik i gjerë (me gjasë jo) apo më shumë do të jetë një publik i interesuar për historinë? Është mirë edhe që me këtë mund të punojnë shkollat. Si administrata e arsimit në Berlin ashtu edhe Ministria e Kulturës në Bavari kanë sinjalizuar, se janë të hapura për përdorimin e botimit kritik nëpër shkolla, për aq kohë sa qëllimi është demaskimi i ideologjisë nacionalsociliaste dhe luftimi i ekstremizmit të djathtë. Kështu edhe në shkolla do të jetë i përdorshëm një burim i rëndësishëm për historinë e nacionalsocializmit.
Retorika, që ka përdorur Hitleri, sot nuk funksionon më. Por edhe më tej ne duhet të trajtojmë çështjen, se si mundi të arrihet në krimet e tmerrshme të gjermanëve gjatë nacionalsocializmit dhe si mund të ndalohet diçka në të ardhmen. Leksioni nga “Mein Kampf” mund të kontribuojë, për të gjetur përgjigjet për këtë.
Diskutime rreth kësaj post