Shtëpia jonë është bërë kashtë e koqe! Jemi në prag dhune! Mos e kaloni atë prag! Mbledhim mendjen dhe vemë gishtin në kokë sa nuk është vonë!…
Nga Artan Fuga
Kujdes! Pamjet që pamë nga parlamenti maqedonas janë të shëmtuara dhe të trishtuara. Rrënjët e tyre janë aq të thella, sa nuk mund të thuhen! Duhet t’i vendosim gishtin kokës, në radhë të parë politika. Ne duam Shqipëri paqësore, demokratike, të lulëzuar. Jo me krizë institucionesh, me zgjedhje farsë, me shkelje të rendit kushtetues, pa siguri, dhe me kanabis. Duam zgjedhje të lira, paqësore, të drejta, jo të na ushqejnë me sallatë maqedonase! Ndjeshmëria ndaj asaj që ndodh në Maqedoni duhet të jetë e madhe. T’i lëmë thirrjet ndaj politikanëve të Maqedonisë për vetëpërmbajtje, pjekuri e stabilitet!
Nuk jemi ne të japim as këshilla as sugjerime për të tjerët. Të shohim traun në syrin tonë. Ta lemë tjetrin me qimen në syrin e tij për një çast! Zoti na e dha shenjën! Mos thoni se nuk na paralajmëroi! Maqedonia është vend fqinj dhe ne efektin e dominosë e kemi kaq të pranishëm si rrezik. Atje ka shqiptarë, edhe ne jemi shqiptarë. Se mos kemi marrëdhënie të qeta me Serbinë, Maqedoninë, Greqinë. Gjithandej tensione. Vetëm me Bosnjen nuk kemi probleme!
Ndërkaq mos hedhim sytë te obori i komshiut, as mos shohim te vrima e bravës së derës së tij sesi burri rrihet me gruan dhe gjakosen. Kënaqemi me këto skena për të fshehur katrahurën tonë. Të shohim në shtëpinë tonë që divorci ka plasur sheshit, burri i hedh kapakun e tenxheres në kokë gruas, gruaja i gjuan me qepshe burrit, vjehrri rrëmben një grusht thumbash dhe ja vërvit mbi krye dajës së nipave të vet, ndërkaq vjehra e pakënaqur që nuk e lënë të bëjë çorbën dhe mishin me fasule pa mish, i përplas një bidon plot me ujë në kokë kunatës, ndërsa të gjithë kafshët e oborrit janë të stresuar, qeni përgatitet t’i hajë bishtin maces, kanarina në kafaz tall papagallin, derrat të zhytur në baltë tundin bishtin dhe zhgërryhen në baltë nga të pangrënët, gomari ka mbetur i ngarkuar me dru në mes të oborrit dhe i lutet kalit ta shkarkojë, lepujt janë struktur në vrimat e minjve dhe kuisin si kone, lopët po e zënë vetë kos qumështin e tyre.
Mbi çati një gjel po bën vezë. Shtëpia jonë është bërë kashtë e koqe! Jemi në prag dhune! Mos e kaloni atë prag! Mbledhim mendjen dhe vemë gishtin në kokë sa nuk është vonë!
Diskutime rreth kësaj post