Ish-ministri dhe deputeti i LSI-së, Edmond Panariti thotë se trajtimi me oksigjen duhet të fillojë në kushte shtëpie, pasi ulet shumë mundësia për të kaluar në intubim.
Panariti i cili prej pak ditësh mori detyrën e re të drejtorit të kabinetit të Presidentit Ilir Meta ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e pandemisë dhe kërkoi bashkëpunim të ekzekutivit me presidentin për të përballuar më mirë sfidën.
“Ne jemi ende me kapacitete të mangëta. Nuk është bërë mjaftueshëm për protokollin e trajtimit të pacientëve në shtëpi dhe aty kemi një çorientim dhe konfuzion, çfarë duhet të bësh duke pritur rezultatin e tamponit, pasi ka një kohë pritje që është goxha e madhe dhe mund të mundësojë që pacienti ta transmetojë infeksionin, por edhe e pengon atë të marrë masat e nevojshme që në fillim. Presidenti ka komunikim me qeverinë, ka informacion. Presidenti ka insistuar që trajtimi të fillojë nga shërbimi parësor, mjeku i familjes, që në shfaqen e simptomave, të japë asistencën e parë me trajtimin me medikamente, një pjesë e familjeve e kanë të pamundur për ta përballuar.
Për kategori të veçanta, si të moshuarit, që mund të kërkojnë trajtim më të dedikuar, që janë me sëmundje bashkëshoqëruese, diabetikët, apo ato që vuajnë nga sëmundjet e zemrës kanë nevojë për medikamente shtesë. Shërbimi parësor të jetë më proaktiv. Unë kam hedhur idenë që në simptomat e para, trajtimi me oksigjen të fillojë në kushte shtëpie, pasi ulet shumë mundësia për të kaluar në intubim”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post