Nga Taulant Kopliku
Dy vite më parë një gazetare e austriakes “Die Standard” do të shprehte me një fjali atë që krejt pak gazetarë dhe analistë të këtij vendi e deklarojnë publikisht lidhur me politikanin e korruptuar Ilir Meta. Këtë fjali mes rreshtave të një shkrimi ku ishin marrë dhe disa opinione nga analisti Fatos Lubonja, gazetarja austriake do ta formulonte pa krijuar asnjë ekuivok tek lexuesi për qëllimin me të cilin ishte nisur ta përfshijë në shkrimin e saj.
“Shefi i LSI-së, Ilir Meta, që konsiderohet si një politikanët më të korruptuar në vend, do vazhdojë të jetë kurorëzuesi i pushtetit” -shkruante ajo në ate kohë.
Në fakt ne shqiptarëve nuk na kishte thënë ndonjë gjë të re. Ne të gjithë e dinim se kush ishte Ilir Meta. Edhe ata që nuk ishin të sigurtë, u bindën pas videos së famshme të 11 Janarit 2011 për shkak të së cilës u vranë dhjetë ditë më vonë 4 persona. Për tu kthyer pas në kohë, një tjetër gazetar i huaj, Fron Nahzi do të shkruante në prag të zgjedhjeve të 2013-tës këto fjali të drejtpërdrejta që edhe pse ne i dinim, na tingëlluan si të padëgjuara. “Ai (Ilir Meta) u kap në video nga një prej anëtarëve të partisë së tij duke kërkuar ryshfet për një tender shtetëror”. – shkruan autori, i cili vijon më tej – “Berisha menjëherë erdhi për ta shpëtuar. Kundër dëshmisë së ekspertëve kriminalë të pavarur dhe pavarësisht britmave të diplomatëve amerikanë dhe europianë, Berisha dhe gjykatat e tij vendosën se kaseta ishte modifikuar dhe hodhën poshtë rastin. Meta u largua me xhepat plot me lekë dhe u hodh në krahët e Edi Ramës”. Të njëjtën gjë bëri pak javë më parë edhe “Zëri i Amerikës”. Gazetarja shqiptaro-amerikane e cila “mbërtheu” keq Ilir Metën në intervistën e famshme të Uashingtonit u kthye në heroinë të shqiptarëve ndërsa intervista e saj ku akuzonte direkt Ilir Metën si të korruptuar u kthye në një hit. Ndokush që nuk ishte ende i qartë nëse kemi të bëjmë me një politikan që i janë vënë të gjithë kundër apo me një hajdut përsëritës, u bind fare mirë me denoncimin e aferës CEZ – Dea apo së fundmi me sms e famshëm të 200 mijëshes të publikuar në emisionin Opinion. Janë këto disa nga faktet botërisht të njohura që përveçse kanë të bëjnë me pasurimin miliarder të familjes Meta, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorjen e qytetarëve shqiptarë për shkak të zhvillimeve të mëvonshme.
Mora shembuj dy shkrime gazetarësh të huaj dhe një intervistë televizive të një medie po ashtu të huaj, me një nivel të zakonshëm (më shumë raportim sesa një analizë politike) të cilët vijnë të na mësojnë sesi duhet ti shkruajmë gjërat. Drejtë dhe pa spërdredhje. Dhe komentet e lexuesve janë tejet vlerësuese pikërisht për gjuhën e thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, të pandikuar politikisht të këtyre gazetarëve. Pse na bën përshtypje kur lexojmë apo dëgjojmë diçka të tillë për Ilir Metën kur gjërat janë të njohura më parë? Sepse me përjashtime shumë të vogla, asnjë analist i mediave në vend nuk merret me shembulllin negativ që ka sjellë Ilir Meta në politikën shqiptare. Kam parë shumë emisione ku ai ka qenë prezent ashtu siç kam lexuar me dhjetëra artikuj dhe komente për Ilir Metën, por fatkeqësisht jam përballur me një lloj përkujdesjeje të gazetarëve dhe analistëve për këtë figurë politike e cila është (politikisht) më e shëmtuara në këto 23 vite. Nuk justifikohet aspak një lloj vasaliteti në komunikim dhe (me dashje) tendenca për të na sjellë ne shqiptarëve një figurë të ndrryshme të Ilir Metës nga ajo që njohim prej kaq vitesh.
Kam vërejtur gjithmonë se ky i fundit ka një raport thuajse të shkëlqyer me një shumicë absolute analistësh të politikës, si të ekranit ashtu edhe të gazetave. E kam krejt të qartë se ky afeksion nuk ndalet thjesht tek një kafe mes miqsh por ky është problem i tyre. Problemi jonë është lustra mediatike me të cilën mbulohen një kategori e caktuar e politikanëve nga ata komentues tek të cilët shqiptarët pretendojnë të gjejnë çdo ditë të mishëruara opinionet e tyre personale. Nëse të dy forcat kryesore të politikës kanë “të atashuar” komentuesit e tyre, me Ilir Metën dhe partinë e tij gjërat ndryshojnë. Ai ka një raport konstant dhe të pacënuar me kastin e opinionistëve të cilët e njohin mire kufirin deri ku duhet cënuar lideri i LSI-së. Problemi ynë është që të mos presim gjithmonë vetëm kur do të bëjë denoncimin e rradhës Birn-i për të marrë vesh bëmën korruptive të rradhës të kryeparlamentarit Meta.
Aq më problem është kur fenomenet që na shfaqen përpara hundëve dhe i dimë shumë mirë, vijnë e na i bëjnë publike të huajt. Sonila Meço na deklaronte dikur nga vila superluksoze e Ilir Metës se këtu gatuhen ngjala të mira ndërkohë që me siguri të gjithë ata që po shihnin në atë moment emisionin do të kenë pyetur me vete: “Monika, ku i morët lekët”? Këtë pyetje Sonila se bëri asnjëherë. As të tjerë më pas në intervistat e rradhës. U deshën kohë derisa kjo pyetje kaq “naive” të vinte nga Uashingtoni si një fshikullimë për gazetarët shqiptarë që vazhdojnë të “shijojnë” ngjalat e Vilës së Lalzit.
Diskutime rreth kësaj post