Ratko Mladiqi është dënuar me burg të përjetshëm pasi është shpallur fajtor për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Tribunali për krime lufte për ish-Jugosllavinë
Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Mladiq, i njohur edhe si “Kasapi i Bosnjës”, u shpall fajtor pas më shumë se 20 vjetësh nga masakra e Srebrenicës.
Ai u përball me 11 akuza, dy për gjenocid, pesë për krime kundër njerëzimit dhe katër për shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.
Këshilli Gjyqësor i Tribunalit të Hagës, në përbërje Alphons Orie (kryesues), Christoph Flügge dhe Bakone Justice Moloto (anëtarë), e shpalli fajtor Mladiqin si pjesëtar i, siç u quajt, “veprimit të bashkuar kriminel” që kreu një sërë krimesh në Bosnje e Hrecegovinë në periudhën prej vitit 1992 deri në fund të vitit 1995.
Sot, në fund të gjykimit që zgjati 6 vjet, Mladiq u lirua nga njëra akuzë për gjenocid që kishte të bënte me kryerjen e gjenocidit në gjashtë komuna boshnjake më 1992, por u shpall fajtor për të gjitha akuzat e tjera – operacionet e spastrimit etnik, sulmet dhe bombardimet e civilëve të rrethuar në Sarajevë, masakra e meshkujve dhe djemve myslimanë në Srebrenicë dhe marrjen peng të personelit të OKB-së në një përpjekje për të penguar sulmet ajrore të NATO-s.
Konkretisht, pikat për të cilat u dënua me burg të përjetshëm Mladiqi, janë këto:
– Gjenocid në Srebrenicë
– Krime kundër njerëzimit në 15 komuna boshnjake
– Vrasje
– Vepër johumane e shpërnguljes së dhunshme
– Deportim
– Terrorizim dhe sulme të paligjshme kundër popullatës civile
– Marrje e pengjeve
Vendimi për dënimin me burg u shqiptua pasi gjykatësi Orie për dy orë e lexoi aktakuzën dhe pas një ore pauzë, që u dha pas incidentit që e shkaktoi Mladiqi, i cili nisi të bërtasë se “të gjitha janë rrena” dhe madje edhe e shau Tribunalin me fjalë vulgare.
Diskutime rreth kësaj post