Nuk ka asnjë barrierë në shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë. Çështjet e kaluara në këtë drejtim janë zgjidhur falë rritjes së bashkëpunimit dhe nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh ekonomike mes dy vendeve. Ky ishte konkluzioni i takimit të zhvilluar sot në Prishtinë mes Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami.
Ministrja Ekonomi ndodhej në Prishtinë në kuadrin e Panairit të përbashkët “Bli Shqip”, që zhvillohet çdo vit në kuadrin e Festës Kombëtare mbarëshqiptare dhe ka si synim të promovojë produket shqiptare e të rrisë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Në takimin e përbashkët dy Ministret uruan për festën e përbashkët të shqiptarëve, 28 nëntorin, Ditën e Flamurit. Ato shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, duke shtuar se ende ka shumë hapësira për ta zgjeruar më tej këtë bashkëpunim. Ato premtuan se institucionet respektive do të bëjnë të pamundurën që kompanitë e Shqipërisë dhe Kosovës të mos kenë asnjë pengesë në shkëmbimet tregtare.
Në një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit, Ministrja Bajrami konstatoi se janë 900 kompani me kapital nga Shqipëria që ushtrojnë aktivitetin në Kosovë që nga 2007, ndërkohë që 14 prej tyre kanë punësuar 1400 punëtorë në Kosovë. Ajo theksoi se marrëveshjet e fundit mes dy vendeve kanë lehtësuar tregtinë mes dy vendeve.
Ndërsa Ministrja Ekonomi duke ndarë të njëjtin mendim për bashkëpunimin shumë të mirë ekonomik mes dy vendeve, u shpreh se duhet bërë më shumë për të krijuar mundësi që produktet tona të jenë të kokurueshme në tregun ballkanik dhe atë europian dhe për këtë duhen ndërmarrë veprime konkrete në të ardhmen. Gjithashtu, znj Ekonomi u shpreh se duhet zgjeruar bashkëpunimi në disa sektorë të rinj dhe në shkëmbimin e forcës së punës mes dy vendeve.
Ministrja Ekonomi ndodhej në Prishtinë në kuadrin e Panairit të përbashkët Bli Shqip, i cili organizohet çdo vit nga Komuna e Prishtinës dhe MZHETTS, në kuadrin e festave kombëtare mbarëshqiptare. Lidhur me këtë panair, znj Ekonomi u shpreh se ka një interesim gjithnjë e në rritje për pjesëmarrje nga bizneset shqiptare çka do të thotë një rritje e interesit për shkëmbimin e produkteve shqiptare. “Kjo është një ngjarje e madhe për sipërmarrjen shqiptare dhe atë kosovare për njohjen e produkteve shqiptare në tërësi. Produktet tona kanë nevojë të regjistrohen si marka dhe po punojmë shumë për këtë gjë, por dhe konsumatori ka nevojë të mbrohet, ndaj dy palët po punojnë në çështjen e sigurisë ushqimore. Nuk ka pengesë që e ndal këtë bashkëpunim. Të gjithë vijnë me kënaqësin në panairin “Blej Shqip” u shpreh Ekonomi.
Diskutime rreth kësaj post