Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, tha se Kosova plotëson të gjitha parakushtet që të aplikojë për statusin e shtetit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Ne mendojmë se Kosova i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, për një aplikim të tillë, dhe prandaj ne, deri në fund të vitit, do të zgjedhim momentin e përshtatshëm kur do ta dorëzojmë edhe formalisht këtë aplikim”, tha Gërvalla gjatë një konference për media në Prishtinë më 26 korrik.
Gërvalla tha se Kosova plotëson parakushtin themelor për aplikim, për faktin se ka zbatuar pjesën më të madhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja midis Kosovës dhe BE-së, që ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.
Kjo marrëveshje ka për synim mbështetjen e Kosovës në forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.
Megjithatë, Gërvalla tha se vetëm dorëzimi i aplikimit nuk mjafton, por shtoi se të gjitha institucionet duhet të punojnë që të shtyjnë përpara këtë proces.
Kryediplomatja e Kosovës foli edhe për aplikimin në Këshillin e Evropës, ku Kosova ka dorëzuar aplikacionin më 12 maj.
Gërvalla tha se pret që shteti të anëtarësohet shpejt në këtë institucion, duke shtuar se ka shpresë që pas pushimit të verës të nisin procedurat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit.
“Ne presim që në rastin e Kosovës të mos zgjasë aq shumë sa ka zgjatur për shtetet e rajonit, sepse mendojmë se në këtë stad që ndodhet Kosova i plotëson më së miri parakushtet sa i përket legjislacionit, të drejtave të njeriut, standardeve demokratike, shtetit ligjor, për ta pasur procedurën më të shkurtër”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se Kosova gëzon përkrahje politike nga një “numër tejet i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, qofshin ato njohëse apo mosnjohëse.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.
Sipas procedurës, aplikacionin e një shteti fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare.
Kjo Asamble përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.
Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Këshilli i Evropës ka 47 anëtarë./ REL
Diskutime rreth kësaj post