Punonjësit e Ministrisë së Financave e të institucioneve të varësisë si Tatime e Dogana do të duhet që këtë vit të riplanifikojnë lejen e tyre vjetore, nëse kanë planifikuar për t’i kryer ato në periudhën 25 maj deri në 30 qershor.
Ndërkohë, ata që kanë nisur tashmë pushimet do të duhet t’i ndërpresin ato dhe të rikthehen në punë.
Mësohet se, ishministri Ahmetaj u kishte dhënë lejet e zakonshme këshilltarëve të tij, para se të linte postin. Kështu, ata tani duhet të kthehen në punë, por vendet e tyre janë zënë nga këshilltarët e rinj.
Ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj e zgjedhur me propozimin e PD ka nxjerrë sot urdhërin sipas së cilit, nëpunësit, funksionarët dhe punonjësit e ministrisë si dhe të instuticioneve të varësisë që përfitojnë pushime vjetore të paguara, për sigurimin e vijueshmërisë së punës, u ndërpritet leja vjetore për periudhën 25 maj 2017 deri me 30 qershor 2017, që përkon me periudhën e fushatës zgjedhore.
Sipas këtij urdhëri të gjithë punonjësit që janë duke kryer lejet vjetore, do të njoftohen për paraqitjen në detyrë dhe për mbushjen e lejes vjetore pas datës 1 korrik 2017.
Planifikimi dhe kryerja e lejeve vjetore të vijojë nga 1 korrik 2017 dhe në vazhdim sipas legjislacionit në fuqi. Moszbatimi i këtij urdhëri sjell përgjegjësi disiplinore sipas legjislacionit në fuqi.
Këshilltarët e rinj që ka emëruar ministrja Helga Vukaj janë:
Flir Mosho
Drejtor i Kabinetit
Asllan Shera
Këshilltar i Ministrit të Financave
Gjin Progni
Këshilltar i Ministrit të Financave
Fatjola Arifaj
Këshilltare e Ministrit të Financave
Jeton Osmani
Këshilltar i Ministrit të Financave
Renald Rista
Këshilltar i Ministrit të Financave
Diskutime rreth kësaj post