Të diplomuarit në një fushë të ngjashme ose të përafërt me fushën e mësuesisë, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj. do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e mësuesit pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në një video-publikim në rrjetet sociale, e cila ka dhënë disa nga detajet e udhëzimit të ri. Kushi ftoi të gjitha universitetet që të paraqesin aplikimet për miratimin e programeve të nevojshme, për t’u dhënë mundësi të interesuarve që të regjistrohen që në vitin e ri akademik 2023-2024.
‘Sot kam një lajm shumë të mirë për të gjithë ata që janë diplomuar në një fushë të ngjashme ose të përafërt me fushën e mësuesisë dhe dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit. Prej vitesh në sistemin arsimor parauniversitar, disa lëndë si: Ekonomi, Informatikë, Arte, Filozofi, Teknologji, jepeshin nga mësues të profileve të tjera ose nga profesionistë të këtyre fushave që nuk ishin diplomuar në fushën e mësuesisë, e të cilëve u mungonte formimi i nevojshëm pedagogjik e metodik.
Prandaj ne, duke patur objektiv primar interesin e nxënësve dhe të drejtën e tyre për mësimdhënie në nivele të larta shkencore dhe psiko-pedagogjike, kemi hartuar dhe miratuar një udhëzim të ri, i cili mundëson që profesionin e mësuesit ta ushtrojnë profesionistë të diplomuar në fusha të ndryshme, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj., por pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.
Ftoj të gjitha universitetet që, bazuar në këtë udhëzim, të paraqesin sa më shpejt aplikimet për miratimin e programeve të nevojshme, për t’u dhënë mundësi të interesuarve që të regjistrohen që në vitin e ri akademik 2023-2024. Së shpejti do të organizojmë edhe një takim me përfaqësues të universiteteve për t’i udhëzuar dhe mbështetur sa më shumë në hartimin dhe miratimin e programeve të reja.’- u shpreh Kushi.
Diskutime rreth kësaj post