Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar ërish në lidhje me grabitjen e miliona eurove në Rinas. Ajo tha gjatë një konference për shtyp, se faji është i koncesionarit kinez, i cili nuk ka marrë asnjë masë, pavarësisht thirrjeve të organeve mbikëqyrëse për të rritur sigurinë. Balluku tha se tashmë është hapur “Kutia e Pandorës” dhe gjithçka do të sqarohet.
“Ngjarja e 9 prillit është një ngjarje e përsëritur, por fatkeqësisht edhe më e sofistikuar nga keqbërësit në krahasim me herët e tjera, çka sjell cënimin e sigurisë kombëtare dhe saj ndërkombëtare, pasi aviacioni civil nuk ka kufi.
Përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zgjidhur një herë e përgjithmonë një problem madhor, të cilin e kemi trajtuar me kujdes dhe konform normave dhe rregullave që aviacioni kërkon.
Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës nga korriku 2016, pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti, kanë rënë në vesh të shurdhër.
Masat e marra kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme.
Masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë sa për të kaluar radhën dhe për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj.
Kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë.
Të ardhurat dhe taksa për pasagjerë prej 3 eurosh që kompania vjel, nuk u përdoren për investime serioze për pasagjerët.
S’po ndalem sot në detajet e kushteve të munguara në këtë aeroport, i vetmi aeroport ndërkombëtar për momentin, pasi Kutia e Pandorës është hapur dhe do të kemi kohë plot për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson.
Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit, ashtu siç është kërkuar nga organet mbikëqyrëse.
I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër, janë parkingjet.
Ti shtojë ato dhe të vjelë fitime të lehta, duke harruar kush është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri”, tha Balluku./TemA
Video:
Diskutime rreth kësaj post