Tifozët kuqezi, pasi kishin bërë një kërkesë tek Federata Shqiptare e Futbollit dhe për dijeni autoriteteve shëndetësore në vend, shpresonin që ndeshjen me Anglinë ta ndiqnin nga shkallët e stadiumit “Air Albania”, por dëshira e tyre do të mbetet thjesht një ëndërr, pasi nuk është miratuar kërkesa dhe për pasojë dueli me “Tre Luanët” do të luhet me stadium të boshatisur, pasi autoritetet mendojnë se grumbullimi i njerëzve rrit rrezikun e infektimeve me koronavirus dhe kjo do të jetë e papranueshme në kushtet e situatës që po kalojmë. Të gjithë palët kanë të drejtën e tyre, por emocioni futbollistik në një ndeshje kaq të ndjeshme do të mungojë. “Shqipëri-Angli, e vlershme për kualifikueset e Kampionatit Europian do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve”. Kështu nisin shkrimin e tyre të gjithë portalet sportive.
Sepse, Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të pasur një prani të kufizuar tifozësh në “Air Albania” më datë 28 mars, kur “shqiponjat kuqezi” do të presin “3 Luanët” e Gareth Southgate”. Institucioni kryesor i futbollit në vendin tonë i kishte dërguar ministrisë një kërkesë për të patur 30% të kapacitetit të stadiumit me tifozë, por Ministria e shëndetësisë, nëpërmjet zv.ministres Rakacolli, ka refuzuar kategorikisht, duke bërë që edhe kjo shpresë e fundit e FSHF-së të venitej. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës dhe numrat e lartë të infektimeve me COVID-19, por po jetojmë në një realitet shqiptar, ku kafenetë e kalojnë dukshëm numrin 10 të personave të grumbulluar në një vend, palestrat janë plot dhe kur janë vetëm 10 veta, atëherë je me fat, ndërkohë që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, hasim shpesh në takime elektorale që të ngjasojnë me një miting.
Paradoksalisht, nuk lejohen tifozë në këtë ndeshje, ku në një ambient aq të hapur sa “Air Albania“, mundësia për të respektuar masat dhe distancën do të ishte më e thjeshtë se kudo, sepse në një stadium me kapacitet prej 22.500 spektatorësh, 6 mijë apo maksimumi 7 mijë persona do të kishin të gjithë mundësinë për të qëndruar mbi 2 metra distance Gjithsesi, në fund të fundit, është Ministria e shëndetësisë që vendos dhe do të duhet që tifozët edhe kësaj here ta shohin ndeshjen nga televizori.
Kthimi në fushë i Klaus Gjasulës ka qenë i shumëpritur si për klubin e Hamburgut, ashtu edhe për kombëtaren shqiptare të futbollit. Në fillimin e kualifikueseve të Botërorit 2022, trajneri Reja e sheh veten me një mungesë të rëndësishme në mesfushë si ajo e Abrashit dhe “Spartaku” është emri perfekt për ta zëvendësuar si diga e mesfushës. Por te klubi i Hamburgut paralajmërojnë trajnerin se mesfushori nuk do të jetë në gjendje që të përballojë ritmin e ndeshjeve nga minuta e parë, pasi është kthyer nga një dëmtim që e ka lënë për më shumë se tre muaj jashtë fushave të lojës.
Trajneri Daniel Thiouane ka theksuar se aktivizimi i Gjasulës do të jetë gradual në ndeshjet e Bundesligës 2. “Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Por shihet qartësisht se ka punë për të bërë që të arrijë ritmin. Kemi tendencën që ta hedhim në fushë pak më vonë sesa fillimi i ndeshjes për një periudhë kohe”, paralajmëroi trajneri, i cili i druhet përsëritjes së dëmtimit të futbollistit në një periudhë kur duhet kontributi i tij për mbylljen e sezonit në të cilin Hamburgu kërkon rikthimin në Bundesligë. Ky është një paralajmërim i qartë i trajnerit edhe për Kombëtaren, ku Gjasula pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të mesfushës kuqezi.
Nëse në ndeshjet ndaj Andorrës e San Marinos, trajneri Reja ka luksin që të mbajë jashtë futbollistin duke parë nivelin e kundërshtarit, me Anglinë ai pritet që të jetë një titullar në mesfushë për të përballuar furinë e “tre luanëve” që vijnë në Tiranë me ide të qarta për të fituar ndeshjen.
Diskutime rreth kësaj post