Pak kohë më parë disa mjekë folën për teprinë me plazmë si një mundësi për të kuruar Covid-19, ku shtuan se nuk është plotësisht e sigurt. Pas kësaj presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë që të merrte në konsideratë këtë metodë dhe ta fuste në aplikim. Ndërkohë që dje Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht aplikimin e terapisë me plazmë në trajtimin e personave të prekur nga Covid. Kështu, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga banka e gjakut në QSUT ka deklaruar se ky trajtim bëhet i mundur falë bashkëpunimit me Universitetin e Pavias dhe se nevojiten dhurues.
“I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazmë. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Një paciente 30-vjeçare, e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar dje, në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Shefja e shërbimit Infektiv, prof. Najada Çomo, tha se prej kohësh po punohet me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë terapi dhe u bëri apel personave që e kanë kaluar sëmundjen, të bëjnë këtë gjest human në ndihmë të atyre që kanë nevojë.
“Çdo mashkull që është ndërmjet 18-65 vjeç dhe çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatëzani, që e kanë kaluar COVID-19, mund t’i bashkohen iniciativës së dhurimit vullnetar të gjakut/plazmës për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi në spitale”, njofton ministria.
Trajtimi me plazmë u apelua nga miqtë në rrjetet sociale edhe për trajtimin e skulptorit Arben Bajo, por që fatkeqësisht nuk u arrit të realizohej.
Diskutime rreth kësaj post