Zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, është shprehur se bashkëpunimi rajonal në kuadër të asaj që është quajtur Mini Shengeni Ballkanik do të sjellë vetëm lehtësira, kryesisht në unifikimin e tregut dhe ofertës që do të vijë nga vendet e Ballkanit.
“Përfitimi është i qartë për të gjithë. Ne e kemi lëvizjen e lirë, por këtë herë do të kemi lëvizje të lirë mes të gjashtë vendeve, çka nuk do të jetë vetëm për qytetarët e vendeve. E rëndësishme është që do t’i lehtësojë lëvizjen e lirë të gjithë vizitorëve në Ballkanin perëndimor”, u shpreh ai. “Do të mundësojë që të kemi një treg turistik rajonal e të paraqitemi përpara investitorëve të mëdhenj e strategjik si një treg i përbashkët rajonal, jo duke i hequr të gjitha rregullat, por duke pasur një ofertë të përbashkët. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm për përmasat e tregjeve tona dhe një nga sfidat e zhvillimit ekonomik që ne kemi është pikërisht se si duhet të kalojmë atë që është limit ynë demografik.”– tha Xhafja për A2.
Në raport me qëndrimin e Kosovës, zëvendësministri thotë se e vetmja diference e këtij takimi me palën serbe, në Novi Sad, Ohër e Tiranë, është ftesa, që kësaj radhe vinte nga Kryeministri shqiptar. Refuzimi, sipas tij, është një vendim politik dhe jorealist.
“Nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Kjo sepse nuk ka asgjë që filloi më 21 dhjetor në Tiranë, apo para dy muajsh në Serbi. Të njëjtët liderë kosovarë janë ulur në tavolinë, qoftë me liderët serbë, qoftë me të tjerët”, tha Xhafaj. “Tani, nëse ftuesi ka qenë Presidenti i Francës, apo Kancerlarja gjermane, dhe ky është Kryeministri i Shqipërisë, kjo është e vetmja diferencë që ka”.
Diskutime rreth kësaj post