Nga Mero Baze
Një blog periferik në Greqi, i sponsorizuar nga ekstremistë të nacionalizimit grek, përfshi dhe ata që kanë depërtuar në shtetin grek si të tillë, nuk duhet marrë me kaq seriozitet sa e kemi marrë. Përveçse nuk i bën asnjë dëm real ministres Kodheli, nuk përbën as ndonjë opinion serioz në Greqi. Ai është thjesht një sinjal që na ndihmon të kuptojmë çfarë ka në mendjet e këtyre njerëzve, kur vjen fjala për shqiptarët.
Problemi që ka shtypi shqiptar me një referencë të tillë, është së pari se ky shkrim u ribotua thuajse në çdo portal shqiptar, pa asnjë koment, fillimisht gati sikur qe i vërtetë, dhe pastaj kur nisën reagimet, filluan të shpjegojnë se kush ishte gazetari, kush ishte blogu e kush qendron pas tyre.
Kjo kulturë në të vërtetë, e ribotimit të çdo broçkulle, ka hyrë në kulturën e komunikimit në Shqipëri përmes fenomenit të “qytetarit digital”, i cili njihet në botë si fenomeni i “Post truth”. Sali Berisha mund të quhet pa asnjë hezitim njeriu që ka patentën e kësaj kulture komunikimi, i cili i është imponuar shumicës së shtypit shqiptar, të botojë pa asnjë filtër komentet e tij aluçinante, edhe pse ato shpesh, më shpejt përgënjeshtrohen, se sa përhapen.
Njësoj siç gjen Berisha një “qytetar digital” që i referohet “fakteve” të sigurta, dhe ky ish- ushtaraku grek kishte gjetur një “ushtarak digital”, që i kishte rrëfyer si e kishte parë Mimin në kabare në Greqi. Ashtu sikundër me Berishën, shtypi këtu riprodhon çdo gjë, duke ju referuar Berishës, edhe në këtë rast veproi po ashtu.
Kultura e “qytetarit digital”, është në të vërtetë kultura e “post të vërtetës”, që nuk është vetëm fenomen shqiptar. Ajo po kthehet në një institucion nga shumë politikanë populistë në botë, të cilët përdorin gënjeshtrën flagrante si pjesë të fjalorit të tyre për nevoja të ditës, dhe më pas nuk ka rëndësi që e vërteta nuk është ashtu.
Ajo që ka bërë Berisha me “qytetarin digital”, është ku e ku me këtë ditëziun grek, që s’ka as fantazinë e duhur të Berishës, për ta bërë pak me lezet gënjeshtrën e tij. Dhe fakti që shtypi shqiptar e ka pranuar fenomenin e “qytetarit digital”, do të thotë se nuk është se ka shumë të drejtë t’i turret këtij grekut idiot. Idiot për idiot, ai e boton pothuasje në shumicë Sali Berishën me gjithë gënjeshtrat e tij, dhe nuk ndjehet fajtor. Dhe kjo është diçka më e rëndë që i ka ndodhur shoqërisë sonë dhe opinionit publik, nga ajo që i ka ndodhur Mimit.
Biles vet ato që Berisha ka thënë për Mimin, janë gjëra ku e ke më të zeza se këto që ka thënë ky greku. Mjafton të kujtojmë, që ndërsa dy pilotë vdiqën aksidentalisht në Liqenin e Shkodrës, Berisha me “qytetarin digital” shpikën atë udhëtimin e famshëm të pilotëve për të bërë Mimi një vilë në Theth dhe u rrëzuan me gurët që mbanin me vete. “Qytetari digital” ja kishte thënë dhe atë, dhe të gjithë ja botuan pa i kërkuar filtra apo burime. Tani një vit më pas askush nuk i kërkon llogari, ku është vila e Mimit, si qe e vërteta dhe çfarë ka thënë ekspertiza.
Toleranca e publikut tonë ndaj akuzave pa filtër, ka shkuar në ekstrem dhe thuajse ka humbur çdo standart.
Reagimet, qoftë dhe ato pozitive pro Mimit, vijnë më shumë nga motive patriotike, se sa motive qytetare, dhe kjo nuk është shenjë e një shoqërie të shëndoshë. Përkundrazi, nëse ne e mbrojmë Mimin se është shqiptare, bëjmë gabim. Ne duhet ta mbrojmë Mimin si një shoqëri që nuk e pranon standartin e asaj gënjeshtre. Kjo do të ishte superioritet ndaj grekëve. Por fatkeqësisht ne e kemi pranuar në kulturën qëndrore të komunikimit, një standart i cili në Greqi ekziston në blogje periferike.
Biles si shqiptare, ne nuk kemi nevojë të mbrojmë fare Mimin në këtë rast, pasi akzuat ndaj saj mund të kalojnë me ndonjë të qeshur dhe ndonjë shaka, por kemi nevojë të mbrojmë shoqërinë tonë, pikërisht nga kutura e “post truth”, nga gënjeshtrat që serviren si të vërteta për 24 orë për nevoja të ditës dhe që më pas nuk i përmend më askush.
Mendoni një ditë sikur ndonjë studiues i zellshëm, pas shumë vitesh të ulet dhe të imitojë botimet e veprave të politikanëve, që kanë përmbledhur gjithë fjalimet dhe bisedat me njerëzit, dhe të bëjë të njëjtën gjë për Sali Berishën. Të botojë në një libër gjithë postimet e “qytetarit digital”. Nuk ka dënim më të madh për këtë njeri, se t’i dokumentosh post të vërtetat e tij, për të dëshmuar se me çfarë mjete të neveritshme ka bërë ai politikë. “Qyetari digital” është identiteti i tij real, që i është imponuar fatkeqësisht publikut shqiptar për shkak të një shtypi pa filtra dhe standarte. Kjo që kanë bërë grekët për Mimin është shumë më pak kompomentuese për shtypin grek, se kjo që bëjmë ne me “qytetarin digital”. Ata së paku dihet që në Greqi nuk janë askush. Qytetari jonë “digital” është ende i plotpushtetshëm dhe i padiskutueshëm për t’u botuar pa filtra, si një i marrë që ka leje të jetë i tillë.
Diskutime rreth kësaj post