Analisti Milaim Zeka, ishte sot i ftuar në Top Talk, ku dha deklaratën e fortë se “kryeministri i Kosovës po fut në kurth Edi Ramën”. Ai e lidhi këtë me deklaratën e lëshuar disa ditë më parë nga ministrja e Drejtësisë së Kosovës, e cila kërkoi që Tirana zyrtare t’i bashkangjitet nismës për të paditur Serbinë për gjenocid në Hagë.
“Qeveria Kurti po vazhdon duke luajtur rolin e një qeverie hipokrite, e cila ndërkohë që nuk ka pranuar vaksinat nga kryeministri Edi Rama, vetëm për shkak të inateve politike. Po kërkon të fusë në kurth Ramën dhe qeverinë e Shqipërisë, duke i bërë thirrje publike për ngritjen e një padie në gjykatën ndërkombëtare për gjenocid. Është kurth sepse hap armiqësi mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë që ne i propozuam Edi Ramës dhe qeverisë të Shqipërisë që të bëjë një padi por ata nuk e bënë dhe kjo shkakton një hasmëri dhe një urrejtje”, tha Zeka.
Ai theksoi se qëndrimi i ministres nuk është personal, pasi “nuk ka ministër në qeverinë Kurti, i cili guxon të bëjë një prononcim sado të vogël ose banal pa marrë më parë dakordësinë e tij”.
“Duhet ta them në parantezë këtu se sa herë fillon sezoni i turizmit këtu, qarqe të ndryshme antishqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri u bëjnë thirrje turistëve kosovarë që të mos vijnë në shqipëri, kjo ka ndodhur gjatë këtyre, ku dhënë ca foto se hotelet në Shqipëri kanë varur flamujt e Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë dhe se gjoja pushuesit kosovarë në plazhet e Shqipërisë keqtrajtohen”, theksoi Zeka.
Sipas Zekës, këto veprime, Kurti i bën si “strategji e Albin Kurtit që qytetari i Kosovës ta humbë vëmendjen nga problemet reale”. “Problem real për qytetarët tanë atje është vaksinimi i popullsisë dhe papunësia”, shton analisti.
Sipas tij, edhe përfshirja e Partisë Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ishte e gabuar.
“Për çfarë iu desh Albin Kurtit që të vinte me deputetë të Vetëvendosjes dhe të përzihej në fushatën elektorale në Shqipëri. Është vazhdim i skenarit. Sepse erdhën deptuetët e tyre në fushatë”, theksoi ai, duke shtuar Kurti po vazhdon një fushatë të tij.
Ai shtoi se Albin Kurti i ka teoritë e Enver Hoxhës në gjak, për Internacionalen komuniste. Zeka shtoi se qeveria shqiptare nuk duhet ta bëjë një gabim të tillë. “Sepse ngritja e një padie të tillë e amniston Serbinë. As Mlladiçi e Karagjicici që kishin shumë prova për krimet në Bosnje nuk u akuzuan për gjenocid. Në momentin kur një Gjykatë Ndërkomëbtare merr vendim se s’ka gjenocid, atëherë asnjë politikan në Shqpëri e Kosovë nuk mund ta përdorë atë politikisht”, shtoi Zeka.
Diskutime rreth kësaj post