Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shfrytëzoi dje mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar për t’u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 12 nëntorit. Sipas Metës, çdo qytetar i pakënaqur nga qeveria duhet të dalë në protestë, e së pari duhet të dalin të rinjtë që nuk duan të largohen nga vendi. Teksa akuzoi qeverinë edhe për investime të miliarda eurove pa produktivet, Meta tha se prioritet i qeverisë është prodhimi vendas, klima e biznesit, ulja e barrës fiskale, formalizimi i ekonomisë, si dhe dija.
“Konsolidimi i shtresës së mesme është prioritet, rilindja i ka shpallur luftë, pasi shtresa e mesme është garante për mbrojtjen e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshme të vendit dhe kjo është një nga arsyet se përse në arrogancë injorohen kërkesat e pedagogëve”, tha Meta.
Në këtë kontekst, Partia e Lirisë kujtoi protestën e 12 nëntorit. Meta ftoj të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, të bashkohen për të larguar këtë qeveri.
“Të gjithë së bashku për të dhënë mesazhin se koha e arbitraritetit, koha e nëpërkëmbjes së shqiptarëve, që na vogëlushët parashkollor, e deri tek më të moshuarit, ka marrë fund. I ftoj të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, të bashkohen, nën moton për të larguar këtë qeveri grabitëse të të drejtave të tyre, të të ardhmes së tyre e për t’i dhënë fund largimit të të rinjve nga Shqipëria. E thanë edhe britanikët, është plan i qartë për shpopullimin e Shqipërisë. Ky projekt ka marrë fund, Partia e Lirisë për këtë është angazhuar, Shqipëria do t’i përkas të rinjve dhe do t’i përkas Shqiptarëve”, tha Meta.
Meta mbylli fjalën duke u shprehur i bindur për fitoren e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se mbrëmja e 14 majit do të jetë një natë festive për kthimin e demokracisë.
“I ftojmë edhe një herë të gjithë të rinjtë të bashkohen me moton për të larguar këtë qeveri grabitësi. Shqipëria do t’i përkasë të rinjve. Mbrëmjen e 14 majit jam i sigurt që do të jeni të gjithë për të fituar rikthimin e demokracisë”, tha Meta.
Diskutime rreth kësaj post