Presidenti Ilir Meta duket se po përdor gjithçka për të shtyrë sa më gjatë të jetë e mundur shkarkimin. Mazhoranca e ka ndarë mendjen që do i shkojë deri në fund shkarkimit, por presidenti po përdor mungesën e Gjykatës Kushtetuese, duke e mbajtur peng zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Përveç zgjedhjes së Besnik Muçit, i cili është në proces vetingu, Meta pritet që të bllokojë përzgjedhjen e anëtarit të dytë. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se 3 anëtarë i zgjedh Presidenca, 3 Kuvendi dhe 3 Gjykata e Lartë. Anëtari i parë është zgjedhur pak ditë më parë dhe ai është Besnik Muçi. Por për anëtarin e dytë ka nisur një përplasje e fortë mes Presidencës dhe Kuvendit. Meta ka afat deri në datën 8 nëntor që të zgjedhë emrin e dytë, por pretendon se duhet të zgjedhë Kuvendi së pari anëtarin e tij. Mirëpo Parlamenti pritet që të bëjë përzgjedhjen e dy anëtarëve në 14 nëntor, pra 6 ditë pas afatit të fundit të Metës. Burimet nga Presidenca bënë me dije se presidenti nuk ka për të zgjedhur një emër të ri, pasi sipas juristëve të tij, ligji e shpreh qartë se anëtari i parë zgjidhet nga Presidenca dhe i dyti nga Kuvendi. Sipas tyre, nëse Kuvendi nuk zgjedh emrin e parë brenda 8 nëntorit, presidenti nuk mund të bëjë emërim.
Strategjia e Metës
Sipas ligjit, nëse Meta nuk e zgjedh anëtarin e dytë brenda afateve, atëherë është e drejta e KED që të plotësojë vakancën me emrin që është renditur i pari në listë. Pikërisht kjo e drejtë që i jepet KED, ka vënë në lëvizje presidentin. Meta ka planifikuar të mos e lejojë një gjë të tillë. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, presidenti pritet të fusë përsëri në lojë historinë e zhdekreteve. Për zgjedhjet e 30 qershorit Meta nxori një dekret që zhdekretonte dekretin e mëparshëm. Edhe tani pritet të bëjë të njëjtën gjë. Sipas burimeve, Meta është duke planifikuar për nxjerrjen e një dekreti të ri për të zhdekretuar vakancën e shpallur prej tij për Kushtetuesen. Më 4 mars 2019, Meta nxori dekretin për shpalljen e procedurës për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese. Pas shpalljes së kësaj vakance nga ana e Presidencës, u përzgjodhën kandidatët dhe iu dërguan KED. Kjo e fundit pasi bëri filtrimet i dërgoi Metës 4 emra, në mënyrë që të zgjidhet anëtari i dytë. Por Meta pritet që të nxjerrë një dekret, i cili anulon dekretin e datës 4 mars, duke e nxjerr të pavlefshme vakancën dhe kandidatët. Sesa do e arrij këtë gjë mbetet të shihet, pasi e gjitha është në shkelje të Kushtetutës. Por sido që të jetë, dekreti pritet të hapë një debat të gjerë me KED dhe për pasojë mund të sjellë zvarritje. Përsa kohë mungon Kushtetuesja, shkarkimi i Metës është i pamundur dhe kjo i intereson presidentit.
Besnik Muçi në KPA
Presidenti Ilir Meta dekretoi pak ditë më parë Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese edhe pse ende nuk kishte kaluar në filtrat e vetingut. Ditën e djeshme, Besnik Muçi doli në seancë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas ankimimit që Komisioneri Publik i bëri vendimit të KPK që kërkoi konfirmimin në detyrë. Muçi paraqiti disa prova në lidhje me të ardhurat si të vëllait të tij nga Greqia dhe kunatit nga Turqia. Ndërsa Kolegji i Apelimit vendosi të mos i pranojë momentalisht deri sa ato të vinin me vulë apostile nga Greqia dhe Turqia. “Trupi gjykues vendosi të mos lejojë marrjen si provë të akteve në gjuhën greke dhe turke, për arsye se ato nuk ishin të legalizuara në rrugë diplomatike ose me vulë apostile, ndërkohë që lejoi marrjen si provë të akteve të tjera shkresore”, thuhet në njoftimin e KPA.
Diskutime rreth kësaj post