Nga Skënder Minxhozi*
Kjo ishte gjuha që përdorën të premten paradite dy politikanët e sipërshënuar. Bujar Nishani, me “fletrrufenë” e rradhës ndaj kryeministrit Rama foli si Lulzim Basha, kurse Ilir Meta, në krye të Komitetit Drejtues të LSI, teksa fliste për krizën politike, përdori gjuhën që normalisht duhej ta përdorte kreu i shtetit. Ka qenë në fakt një përkim i habitshëm prononcimesh i dy krerëve që aktualisht ndajnë dy postet më të larta protokollare të shtetit, por që për pak javë mund të jenë shumë larg zyrave që mbajnë momentalisht.
Dalja e Ilir Metës me një gjuhë të përmbajtur, duke përmendur disa herë Ramën, Veliajn, koalicionin dhe nevojën për dialog, zgjedhje me standarte dhe dhënien fund të sherrit politik, shënonte jo vetëm një zbutje të dukshme të fjalorit brenda aleancës së majtë, por edhe një “bankoprovë” të mundshme, për destinacionin presidencial që mund të shfaqet së shpejti në horizont.
Kurse nga ana e tij, Bujar Nishani bëri një kthesë në pozicionin e vjetër të presidentit-polemist, kur ju kthye edhe një herë sulmeve ndaj kryeministrit Rama. I cili, për hir të së vërtetës, vetëm sa e përmendi kreun e shtetit në daljen e tij paradite, duke nënvizuar se ishte dakord me tryezën e tij me partitë politike.
Ilir Meta dhe Bujar Nishani janë sot dy nga tre liderët kryesorë të vendit, që planifikojnë të lëvizin nga detyrat që mbajnë. Pretendimet e kreut të LSI për të marrë postin e kryeministrit duken se kanë hasur në një qëndresë të fortë nga Edi Rama, i cili e ka afishuar publikisht më shumë se një herë ambicjen për të qenë kryetar i ekzekutivit edhe për katër vitet e ardhshme. Në këto kushte, Ilir Meta ka marrë një ofertë zyrtare nga PS për të pranuar postin e kreut të shtetit, të cilin me gjasë ai do ta pranojë. Nëse nuk ndodh ndonjë nga “piruetat” e minutës së fundit, si ajo që prishi shijen e verës dhe të mishit të kecit në darkën e Pazarit të Ri.
Bujar Nishani nga ana e tij duket se ka një dëshirë jo edhe aq të fshehur, që të zerë eventualisht vendin e Lulzim Bashës, nëse aventura e çadrës e kreut të opozitës përfundon me mbetjen në opozitë të Partisë Demokratike edhe pas 18 qershorit. Megjithëse kjo axhendë e fshehtë e presidentit është komplikuar nga dalja e opozitës në bulevard dhe mosregjistrimi në zgjedhje, Nishani mbetet një ndër kandidaturat kryesore të epokës post-Basha në PD. Gjatë pesë viteve në detyrë, ai ka qenë mjaft i angazhuar për ta mbajtur qëllimisht larg vetes imazhin e një presidenti të paangazhuar dhe politikisht të baraslarguar. Ka qenë kjo një strategji për t’i treguar Berishës dhe ish-kolegëve në PD, se ai vijon të mbetet një politikan i rreshtuar, edhe brenda një guacke protokollare e formalisht të imunizuar nga fryma partike, siç është zyra e Presidentit të Republikës.
Meta dhe Nishani kanë folur të premten me një gjuhë që po e praktikojnë prej kohësh. I pari si një politikan garant mes palëve, një sjellje gati perfekte për një kryetar shteti, kurse i dyti si një polemist i hidhur dhe plot nerv me të majtën, siç jemi mësuar ta shohim shpesh këto katër vitet e fundit. Një kryetar i ardhshëm opozite, më shumë se një president aktual republike, do të thoshte dikush. Gjithsesi kjo e të premtes qe një paralele, një trajektore, e cila duhet ende të provohet. Pasi të dy, Nishani dhe Meta, ndodhen akoma larg vijës së finishit të kësaj maratone pranverore, që nuk dihet sesi do të përfundojë.
*JavaNews.al
Diskutime rreth kësaj post