Kryetari Kuvendit Ilir Meta ka thënë sot se numri i deputetëve në Kuvend është më i madh seç duhet. Për këtë ai ka propozuar që të shikohet një mundësi për të kufizuar numrin e deputetëve, në mënyrë që të rritet cilësia dhe funksionimi.
Ndërkohë Meta i ka dhënë edhe një sinjal Ramës, duke kërkuar të kufizohet numri i biznesmenëve që zgjidhen deputetë. Sipas Metës, “numri i madh i deputetëve biznesmenë është një problem në cilësinë e Parlamentit dhe kjo është e dukshme. Nuk ndihmon as cilësinë e ligjbërjes, nuk ndihmon as rritjen e kontrollit të Kuvendit mbi Qeverinë, por shpesh ndikon mbi presionet që i bëhen Qeverisë dhe forcave politike për interesa të ngushta”, tha Meta.
Kreu i LSI-së me këtë propozim ka shigjetuar kreun e PS-së, Edi Rama. Partia e këtij të fundit është e mbushur plot me biznesmenë, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat se kompanitë e deputetëve biznesmenë kanë fituar mjaft tendera të dyshimtë me ndikimin e tyre pranë qeverisë.
“Problem tjetër që unë e kam thënë dhe në rast se do të jem kryetari i LSI do ta kem në konsideratë është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në Parlament. Mund të mos jetë me probleme që kanë të bëjnë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në Parlament dhe poste publike është një problem. Edhe tjetra që mendoj unë, duhet parë se numri i deputetëve ndoshta është më i madh seç duhet. Edhe me reformën administrative nga 400 e ca njësi kaluam në 60 e ca njësi dhe menduam se ishte një hap i domosdoshëm. Duhet para diçka edhe tek parlamenti sepse kjo duhet të ndihmojë në një funksionim të mirë të parlamentit, edhe një cilësi të mirë të funksionimit të komisioneve”, tha Meta.
Diskutime rreth kësaj post