Presidenti ktheu të shtunën një ligj të qeverisë shqiptare, pikërisht atë për Korporatën e Investimeve. Në të vërtetë ligji kontrovers ka shkaktuar jo pak shqetësime dhe diskutime. Në një argumentim të gjatë ligjor, presidenca thekson se ligji ka mjaft probleme.
Fillimisht thuhet se ligji i paqartë, subjektiv dhe i pajustifikuar.
“Qëllimi i ligjit nr.71/2019 është i paqartë, subjektiv dhe nxjerrja e kësaj norme të re ligjore është e pajustifikuar objektivisht. Krijimi i një subjekti tregtar nëpërmjet një ligji të veçantë krijon premisa për cenim të “parimit të barazisë përpara ligjit”, “lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe nismës së lirë” parime këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta në nenet 11 dhe 18,” thuhet në argumentet e presidencës.
Më tej thuhet se qeveria nuk kishte pse të nxirrte një ligj të veçantë, por të themelonte subjektin dhe ta regjistronte si të tjera subjekte pa i dhënë një karakter dominues në treg.
“Por trajtimi i kësaj shoqërie me një legjislacion të veçantë duke i dhënë asaj një karakter dominues në treg dhe duke e veshur atë apriori me pushtet vendimmarrës të njëjtë me atë të një agjencie/institucioni publik shtetëror”.
“Pikërisht kjo pozitë dominuese në treg e kësaj shoqërie tregtare, e cila sigurohet nga mbështetja e drejtpërdrejtë nga shteti përmes ligjit nr. 71/2019, dhe forcës shtrënguese të tij, bën që funksionimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare të cenojë parimet kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike e nismës së lirë””.
“Nëse ky sistem ligjor i përgjithshëm cenohet dhe veprimtaria e ligjvënësit orientohet, shpesh e më shpesh, për të miratuar ligje të veçanta që rregullojnë fushën e veprimtarisë të vetëm një subjekti tregtar atëherë, roli rregullator i shtetit individualizohet nëpërmjet trajtimit preferencial dhe si rrjedhim, në mënyrë të pashmangshme, kjo do të sjellë pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike”, thekson presidenca.
Sipas saj, ligji cenon edhe parimet e funksionimit të pushtetit vendor.
“Neni 7 i ligjit nr. 71/2019 cenon parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor, të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, sanksionuar në nenet 13, 108-113 të Kushtetutës, si dhe nuk është në harmoni me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale dhe parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i ndryshuar. Ndërhyrja e pushtetit qendror nëpërmjet vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave për t’i hequr të drejtën e pronësisë pushtetit vendor mbi një pronë të caktuar pa marrë më parë mendimin apo miratimin e Këshillit Bashkiak mbi këtë fakt, e bën ndërhyrjen jo vetëm të pajustifikuar, por përbën në thelb një kufizim të ushtrimit të së drejtës së pronësisë të titullarit mbajtës të saj që është pushteti vendor”.
Më tej presidenca thekson se ky ligj “me mangësitë dhe paqartësitë që ka krijon terren për cenimin e parimit të sigurisë juridike, të drejtave të pronësisë private të fituara, si dhe të pretendimeve që janë ende në proces shqyrtimi në rrugë administrative apo në rrugë gjyqësore”.
“Parashikimet e paqarta të nenit 4 pika 3 të ligjit nr. 71/2019 dhe të dispozitave të tjera të ligjit të lidhura me zbatimin e saj, krijojnë rrezik për cenim të interesit publik”, vijon më tej arsyetimi.
“Një fakt i tillë krijon rrezikun që nëse aksioneri privat është në mazhorancë, të marrë vendime lidhur me pronat shtetërore, pa marrë në konsideratë interesin publik, por duke u orientuar drejt interesit tregtar të shoqërisë.
Kjo mund të krijojë premisë për shpërdorim të pasurisë publike apo të sjell cenim të të drejtave pronësore private. Nëse Korporata kontrollohet në mazhorancë nga aksioner privat, atëherë rrezikohet që zhvillimi i projektit apo marrëveshja mbi të drejtat dhe detyrimet të favorizojë privatin dhe jo interesin publik. Zhvillimi dhe investimi i pronave shtetërore përbën interes të lartë shtetëror dhe kontrolli vendimmarrës mbi këtë subjekt të ri tregtar që pretendohet të krijohet duhet të jetë gjithëmonë ekskluzivet i shtetit si çdo pjesë tjetër e interesit publik kombëtar”.
Diskutime rreth kësaj post