Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta rrezikojnë një konflikt të ashpër në vjeshtë, nëse kreu i shtetit arrin të mbetet në detyrë. Mazhoranca e shkarkoi Metën dhe tani fati i tij varet nga Gjykata Kushtetuese. Mirëpo nëse Kushtetuesja nuk plotësohet me 9 anëtarë para se të shqyrtohet kërkesa e Parlamentit, gjasat që Meta të shkarkohet janë të pakta.
Për shkarkimin e tij duhen minimalisht 5 vota, pasi nëse rezultati del 4 me 3, vendimi bëhet nul dhe kreu i shtetit mbetet në detyrë. Rasti më i fundit është ai i shembjes së teatrit, ku Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim sepse nuk u siguruan votat e nevojshme. Për këtë arsye ka nisur një betejë e fortë në prapaskenë që Kushtetuesja të mos jetë me 9 anëtarë në vjeshtë.
Së pari duhet të plotësohet Gjykata e Lartë me 10 emra, por sipas burimeve po shkaktohen vonesa. Meta nuk po dekreton Asim Vokshin si anëtar, ndërkohë mësohet se një kandidat i është drejtuar Gjykatës Administrative duke apeluar vendimin e skualifikimit të tij. Këto zhvillime po krijojnë vonesa për Gjykatën e Lartë, e cila nëse nuk ka 10 anëtarë nuk emëron dot 3 emrat që i takojnë në Kushtetuese.
Rreziku i qeverisë dhe zgjedhjeve
Nëse Kushtetuesja nuk plotësohet me 9 anëtarë, gjasat që të kemi një vendim nul në rastin e presidentit janë të mëdha. Por nëse ndodh kjo, atëherë në vjeshtë do kemi përplasje të forta mes Ramës dhe Metës. Meta do e cilësojë veten të paprekshëm dhe mund të bëjë gjithçka kundër qeverisë, duke e ditur se nuk shkarkohet dot. Elementi i parë që rrezikon që të sjellë përplasje është qeveria e re. Në shtator PS do kërkojë mandatimin e Ramë si kryeministër dhe është Meta ai që duhet ta dekretojë. Rreziku është që ai të mund të mos e dekretojë qeverinë duke qenë se nuk njeh zgjedhjet. Elementi i dytë është se nëse Kuvendi zhvillon një seancë dhe voton ministrat e rinj, ata duhet të betohen te Meta. Pa kryer betimin nuk marrin dot detyrën.
Nëse Meta nuk e zhvillon ceremoninë atëherë nuk ka qeveri. Elementi tjetër është dekretimi i ministrave. Kushtetuesja dha një vendim që ja njeh të drejtën e refuzimit edhe pse me kufizime. Por duke qenë se Meta do ndjehet superior sepse nuk shkarkohet dot, mund të refuzojë shumë ministra dhe të krijojë probleme. Pak ditë më parë kryebashkiaku Veliaj ishte ai i cili dha sinjale.
“Shpresoj shumë që pas gjithë këtyre dramave që kanë ndodhur, ndoshta me sfond zgjedhjet dhe sfondin elektoral, nuk do të kemi më surpriza nga Presidenca, ku do të bllokohen ministra dhe do të fillojë i njëjti avaz. Shqiptarët në këto zgjedhje dhanë një mesazh se janë lodhur me lojërat e vogla dhe kulisat e vegjël. Dhe nëse e lexojmë të gjithë si mesazh, njerëzit thjeshtë duan të ecin përpara”, deklaroi ai.
Elementi tjetër janë zgjedhjet vendore. Kushtetuesja në vjeshtë vendos për 30 qershorin dhe nëse ripërsëriten sërish do jetë në dorë të Metës fati i këtyre zgjedhjeve. Dekretimi i datës së re mund të shkaktojë përplasje. Pra vjeshta mund të sjellë një klimë të ashpër politike nëse nuk vuloset shkarkimi i presidentit.
Diskutime rreth kësaj post