Thellohen përplasjet mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Presidenti Meta është në prag shkarkimi dhe vendimtar do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye po luhet fort në prapaskenë që të kapet kjo gjykatë. Gazeta dje tregoi se si kreu i shteti kishte ndërhyrë për skualifikimin nga gara të kandidates Zhaklin Peto.
Ndërkohë sot po tregojmë se si presidenti ka marrë rolin e prokurorit dhe ka nisur një luftë shkresash me KED. Gazeta ka siguruar procesverbalin e mbledhjes të datës 23.12.2019, ku kanë dalë në pah përplasjet në prapaskenë Meta-Dvorani. Presidenti akuzoi disa herë Dvoranin se nuk ka publikuar procesverbalet e mbledhjeve dhe kërcënoi se do të nxjerrë prova me audio e video për shkeljet flagrante të Dvoranit. Por këtu i ka ngecur sharra në gozhdë. Sipas procesverbalit, Meta i ka dërguar një shkresë Dvoranit, ku i ka kërkuar materialet audio dhe transkriptet e mbledhjeve. Por ky i fundit e ka refuzuar Metën, duke mos ja vënë në dispozicion të dhënat.
“Ka pasur një komunikim me shkrim edhe nga znj. Erinda (Avokate e Popullit) për këtë çështje që më kërkon regjistrimet audio dhe transkriptet, e ka kërkuar edhe më përpara. Unë e kam thënë në mbledhje që mund ta dëgjoni këtu, por kopje nuk mund tu jap. Ditën e sotme ka ardhur edhe nga Institucioni i Presidentit të Republikës një shkresë ku kërkohet e njëjta gjë. Unë në cilësinë time si kryetar kam kthyer përgjigje se për përgjegjësinë ligjore që kam, nuk mund të nxjerr jashtë zyrës së KED materiale audio dhe transkriptime të plota. Ato mund të dëgjohen vetëm në zyrën e KED dhe kam dhënë edhe arsyetimin tim përkatës. Për sa kohë që ligji është formuluar në këtë mënyrë”, ka thënë Dvorani.
Reagimi i Presidencës
Vendimi i Dvoranit për të mos lejuar daljen e materialeve audio dhe transkripteve të plota nuk është pritur mirë nga Presidenca. Përfaqësuesi i saj në KED, Bledar Dervishi, ka kërkuar që të bëhet transparencë.
“Do të duhet të mbajmë edhe ne qëndrim në lidhje me ketë çështje, qëndrim mbi miratim e p-v, qëndrimin mbi procesin e kemi mbajtur në dy aspekte edhe në Këshill dhe një proces tjetër që e ka nisur vetë Presidenti. Kështu që nuk di ç’të them në këtë situatë. Ajo që duhej të ishte pranuar nuk është bërë, ajo që ne prisnim të bëhej nuk u plotësua, jo vetëm për Avokatin e Popullit, por dhe Presidentin që e ka me Kushtetutë që kërkon të dhëna me shkrim nga institucionet dhe ta kufizosh në marrjen e këtyre të dhënave kur ka qenë vetë këtu, nuk më duket një vendim i drejtë”, tha Dervishi. Këshilltari i presidenti dhe disa anëtarë kanë kërkuar që të bëhet dhe një diskutim në Këshill, por Dvorani ka deklaruar se do të mbajë përgjegjësi personale për të gjitha këto vendime, madje dhe penale, duke i dërguar një tjetër mesazh presidentit.
Marrja e kompetencave të prokurorisë
Në mbledhje është treguar qartë se si presidenti ka tentuar të marrë kompetencat e prokurorisë. Kreu i KED, Ardian Dvorani është shprehur se vetëm organi i akuzës mund të kërkojë të tilla materiale dhe askush tjetër.
“Ligji këtë parashikim ka, më ngarkon me përgjegjësi. Nëse dalin audiot dhe transkriptet jashtë godine, kush e ka përgjegjësinë? Nuk e kanë anëtarët, e kam unë përgjegjësinë. E vërtetë ajo që thotë Bledi dhe unë e mendoj gjithë ditën, unë jam në mbledhje, e dëgjoj dhe nuk kam të drejtë ta marr atë që dëgjoj, sepse kështu janë rregullat. Unë nuk kam garanci, sikurse dhe tek unë nuk ka njeri besim që e kam kryer detyrën deri në fund, edhe unë nuk kam pse të kem besim tek askurrkush që po t’i jap materialin audio dhe transkriptin nuk do ta bëj publik këtë gjë. Unë jam i detyruar që t’i ruaj këtu. Për t’i dëgjuar mund t’i dëgjoni këtu. Jashtë zyrës së KED nuk del. Ka një organ që e merr që është prokuroria, por kjo është një çështje krejt tjetër, sepse nuk kam autoritet dhe aty jam i detyruar dhe jam i urdhëruar për ta dorëzuar”, ka thënë ai. Pra duket qartë se kemi një konflikt të hapur dhe presidenti ka tentuar të përdorë materialet audio kundër Dvoranit, por plani nuk i ka ecur.
Përplasja me Avokaten e Popullit
Në procesverbalet e KED vihet re se më aktive ka qenë Avokatja e Popullit Erinda Bllaca, sesa anëtarët e KED. Sa i takon materialeve audio edhe ajo ka bërë një kërkesë në KED, ku i kërkon këto materiale. Refuzimi i Dvoranit ka sjellë një përplasje të fortë mes tyre.
“Në asnjë mënyrë dhe një rast, vlera dhe rëndësia e dokumentimit dhe e dhënies të kësaj të përmbledhurit është i përcaktuar qartë, ka një kohë të caktuar, kontekst të caktuar në të cilin duhet të paraqiten. Transparenca e këtij organi është shumë e cunguar për shkak të ligjit, nuk është vullneti juaj. Por e keni bërë dhe më shumë me vendimmarrje të caktuara, e keni bërë edhe më pak transparent. Kështu që nuk ka si të predikoni e të na thoni që ne kemi transparencë të madhe kur e vërteta është që me veprime konkrete”, tha Ballanca. Kryetari i Këshillit Ardian Dvorani ndërhyn dhe shprehet: “Unë jam jurist, jam gjyqtar, nuk i bëj predikime kurrkujt, çfarë mendoj unë është problemi im, nuk mbaj fjalime, unë zbatoj formalisht atë që është e shkruar dhe miratuar. Mund të mos përputhet me mendimin tim por çfarë rëndësie ka kjo. Do të zbatoj atë që është miratuar”.
Diskutime rreth kësaj post