Zgjedhja e drejtuesve më të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga një trupë zgjedhore prej 3200 vetësh është risia kryesore e konventës së LSI-së. Për herë të parë, konventës i është dhënë e drejta për të zgjedhur zëvendëskryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe dy nënkryetarët.
Qëllimi i Ilir Metës, i vetmi i zgjedhur me mandat deri tani, është që Lëvizja Socialiste për Integrim të jetë një parti e hapur, gjithëpërfshirëse dhe ku vendimet merren në kolegjialitet në shërbim të stabilitetit.
“Një Shqipëri akoma më europiane, e cila mund të bëhet e tillë duke patur një LSI edhe më europiane. Unë mendoj që kjo konventë kontribuoi për një LSI më cilësore në të ardhmen, që do të ndihmojë për fuqizimin e institucioneve demokratike në vend”, deklaroi Meta.
Konventa me moton “Një shans për të gjithë” nuk preku marrëdhëniet mes aleatëve qeverisës, por, siç ka premtuar Ilir Meta, LSI-ja do të marrë një vendim për koalicionet parazgjedhore pas konventës dhe zgjedhjes së organeve të reja drejtuese.
Diskutime rreth kësaj post