Nga Spartak Ngjela
Kur pushtetarët e një shoqërie sillen si kalamaj teksa iu rrezikohet pushteti, tregojnë se e urrejnë popullin e tyre.
Kjo është gjendja shqiptare sot. Shikoni se çfarë po ndodh në funksion të vizitës së Xhon Kerrit në Tiranë:
Berisha urdhëron Presidentin e Republikes të dalë e ta presë Sekretarin Amerikan të Shtetit në aeroport. Çudi mesjetare! Naivitet feminor: mendon se Nishani do të intrigojë Kerrin, ose ta disinformoje atë. Gjithçka lidhet me Metën. Kerri s’e takon. Si logjikë politike, Kryetari i Kuvendit duhet të japë dorëheqjen. Këtu fillon degradimi i Saliut, sepse ky s’jeton dot politikisht pa Metën.
Por kjo lojë fëminore vijon edhe më tejë:
Partia Demokratike u tërhoq nga konsensusi për Byronë Kombëtare të Hetimit. Përsëri për Metën. Mostakimi që do t’i bëjë Kerri, rrëzon Metën. Por, kjo lojë përkthehet si “presion për Xhon Kerrin”. Sigurisht. Lumë ne që i kemi këta mafioze në qeverisje, por që janë edhe kalamaj. Pse, politika amerikane mund të ndërrojë në shkallët e avionit? Po si nuk u bë një herë të vetme normal e me mendje të papushtuar nga ligësia ky Sali Berisha! Kurrë. Është destina e tij që të përmbytet si pasojë e ligësisë së tij.
Po Meta, a do të japë dorëheqjen nga Kryetar Kuvendi, pas “përbuzjes” politike të Xhon Kerrit? E vështirë. Ai ia ka hipur kalit të katërmbëdhjetëvjeçarit dhe do ta zbresë andej vetëm shëndoshja intelektive e politikës shqiptare.
Këta pushtetarë nuk dinë të bëjnë asgjë, por vetëm të grabisin hapur në dritë të diellit. Vetëm se, a mundet ta mbajnë Kryetar Kuvendi shqiptarët një të padëshiruar nga politika amerikane? Kjo mbetet për t’u parë.
Diskutime rreth kësaj post