Brisida Shehaj do të jetë Koordinatore Kombëtare e Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë. Lideri i kësaj partie Ilir Meta e ka prezantuar sot Shehajn, teksa ka paralajmëruar një gusht me stuhi dhe denoncime.
“Nuk ka pushime në gusht, qeveria vërtetë pushon, por vjedhja jo. Vazhdon kudo, në Dogana, Tatime. Dua t’u bëj publike se bashkë me z. Nesho kemi vendosur që Briseida Shehaj të jetë koordinatore kombëtare e luftës kundër korrupsionit dhe të drejtojë punën e strukturave në nivel qendror dhe vendor që gushti të jetë një stuhi e vërtetë e denoncimeve dhe të përfshirjes së gjithë qytetarëve dhe sidomos atyre nëpunësve me integritet që janë dëshmitarë të këtyre vjedhjeve të rënda që po ndodhin çdo ditë. Nesër do kemi konferencën e parë”, tha Meta.
I pyetur për nismën e deputetëve të PD për projektligjin për dekomunistizimin nëse do ta votojë kjo forcë, Meta tha se Partia e Lirisë do votojë çdo nismë që synon transparencën. Ai theksoi se ka një mision kryesor që është dekorruptimi i shtetit, qeverisjes dhe i opozitës.
“Por Partia e Lirisë është shumë e qartë se problemi numër një i vendit sot është dekorruptimi. Në radhë të parë dekorruptimi i opozitës, e cila përdoret nga maxhoranca për shashka për të hequr vëmendjen nga korrupsioni.
Misioni kryesor i Partisë së Lirisë sot është dekorruptimi i shtetit, i qeverisjes dhe i vetë opozitës”, tha Meta.
Diskutime rreth kësaj post