Mësuesja e shkollës 9-vjeçare në Malësinë e Madhe akuzon ish-eprorin.
Joshjet, telefonatat, basti që ishte vënë për të dhe largimi nga puna pas refuzimit. Drejtuesit e prokurorisë dhe të ministrisë injoruan denoncimin e mësueses, ndërsa drejtori mohon akuzat. Problemet e mësuesve vazhdojnë të mos kenë mbarim, ku përballen më padrejtësi në ambientin e punës për arsye nga më të ndryshmet. Femra mbetet ende e diskriminuar në shoqërinë tonë, pasi gjithmonë është ajo që privohet nga drejtësia, sidomos kur flasim për çështje sensitive që i cenojnë ato në përditshmërinë e tyre. Rita Shkurtaj është një mësuese e cila, ka punuar në shkollën 9-vjeçare në fshatin Gashaj, Bajzë, në Malësinë e Madhe, si edukatore edhe pse arsimin e lartë e ka mbaruar në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër për lëndën lëndën Histori.
Edhe pse fati nuk ka dashur që të fillojë si mësuese në profilin e saj, ajo thotë se është e vetmja edukatore në këtë fshat që ka pranuar të punojë në një shkollë që ndodhet në mes të pyllit. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, mësuesja denoncon drejtorin e kësaj shkollë, z.Gaspër Deda, për tendencë përfitimi seksual ndaj saj si i vetmi kusht i vazhdimit të karrierës. Ajo pohon gjithashtu se fakti që e ka bërë publike këtë denoncim nuk e ka ndihmuar aspak, pasi shoqëria patriarkale e fshatit nuk e beson, por e gjykon aq sa Rita ndihet në një rrugë pa zgjidhje, ku mendon dhe mundësinë e shpëtimit te vetëgjygjësia.
Rita, si ka nisur historia juaj e ngacmimit nga ana e drejtorit të shkollës 9-vjeçare, z.Gaspër Deda?
Fillimisht si një njeri i rëndomtë, me fjalë. Sa e bukur je sot, apo sa bukur je veshur. Nuk i ktheja përgjigje, sepse ishte ulje për mua të merresha me budallallëqe të tilla.
E kishit të vështirë të punonit në këto kushte? Sa vazhdoi kjo periudhë?
Me 4 maj të vitit 2014 më ndjek nga prapa, dhe më gjen në një kafe pranë bibliotekës së universitetit dhe ulet në tavolinë, ku më shprehu fjalët e veta. Unë i them: Është e pamundur! Ti do që të mbetemi kolegë? Unë do të bëj sikur nuk i kam dëgjuar kurrë këto fjalë. Ai nuk e pranon përgjigjen.
Çfarë thoshte ndërkohë?
Vazhdonte të më sugjeronte të mendohem, pasi do bëj karrierë me të.
Sa kohë vazhdoi kjo situatë dhe keni menduar të largoheni nga puna për shkak të ngacmimeve që pohoni?
Jo, pasi mendova se nuk do të ishte aq pervers.
Kërkonte të kishit lidhje me të si kusht për vazhdimin e karrierës tuaj?
Po! E pohoj me zë të lartë këtë fakt. Madje do të shtoj edhe diçka: Koleget femra më shikonin me urrejtje dhe më kanë folur pasi kam bërë denoncimin e tij, sepse kjo ofertë qëndronte funksionale për to. Pak kohë pas kafes më erdhi një fjalë në vesh, se ishte vënë një bast për mua.
Çfarë basti?
Më thërriste shpesh në telefon. Unë e pyes a keni dijeni për çështjen e bastit. Ai qesh dhe më thotë: Për gjërat e mira ka gjithmonë një çmim. Kjo më detyroi ta ftoj për kafe dhe ta incizoj. E gjitha ka ndodhur në fund të qershorit, dhe nga ajo kohë unë i kam mbajtur distancë deri ditën kur më urdhëroi të shkoj në zyrë, që të plotësoj një formular të ministrisë.
Pse të kërkoi ta plotësosh këtë formular. Ishte procedurë punë apo pretekst?
Sepse ishte gjoja urdhër i Ministrisë së Arsimit, por e gjitha ishte një pretekst. Aty ndodhi më e keqja e kësaj historie që po të rrëfej. U përpoq që të përdorte forcën fizike për të arritur qëllimet e veta, por që nuk ia arriti.
Ma përshkruaj pak…
Në rregull, po ta tregoj me detaje. Gjatë momentit kur unë isha e pavëmendshme ai përfitoi me miratimin e kolegut që kisha përballë, i cili doli jashtë. Nga prapa më zgjati dorën për nën qafë për të më…Jam ngritur në këmbë dhe e kam shtyrë me forcë, por ai sërish tentoi me forcën e tij dhe me shumë mund kam marrë çantën dhe kam dalë jashtë, pa e përfunduar formularin.
Pas kësaj ngjarje ju vazhduat punë në këtë shkollë?
Më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë që nga nesër e tutje nuk je më në punë.
Keni bërë denoncim në prokurori?
Jo, sepse kisha probleme në familje, burrin e alkoolizuar. Nëse flisja do bëhej një katastrofë e madhe. Pastaj kush do ta besonte të vërtetën.
Kur e gjykuat të arsyeshme të denonconi këtë abuzim që pohoni?
Pak ditë më pas kam njoftuar instancat politikë të krahut të majtë nga të cilët ishte i komanduar, si mënyra më e drejtë për të shmangur konfliktet. Ata më rikthyen në po atë vend pune, me premtimin se do të largonin drejtorin nga puna, gjë që nuk ka ndodhur deri sot.
Në prokurori është marrë parasysh rasti i juaj?
Denoncimin e kam bërë tre ditë para votimeve të fundit, por asnjë reagim.
Ju thoni që nuk jeni pranuar në konkurrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”. Pse?
Sepse juristja DAR Shkodër më tha që je në marrëdhënie pune dhe nuk lejohet të konkurrosh, edhe unë kam tentuar dy herë të futem në portal. Mendoj se ka qenë e qëllimshme mospranimi im.
Fenomeni ju ka ndodhur në vitin 2014-të dhe denoncimin e keni bërë në 2017-të. Pse?
Denoncimi fillestar ka qenë për dëmtim të objektit të shkollës 9-vjeçare. Si fillim nuk doja ta ngrija këtë akuzë për arsye familjare, për të shmangur konfliktet me pasoja të rënda. Së dyti, Zyra Arsimore në Malësi të Madhe më kishte premtuar se nuk do të kesh probleme nga ai person dhe se vendi vakant do të jetë emërimi juaj. Kurse drejtori do të zëvendësohej nga kunata e tij, e cila punon në po të njëjtin institucion si mësuese kimie. Ju siguroj dhe një gjë. Në vendin e punës, në mes të pyllit, nuk kanë pranuar të shkojnë asnjë nga mësueset e profilit, prandaj më urdhëruan mua që të punoj deri sa të dalë në pension mësuesi i lëndës. Kjo shkollë ka më shumë mësues, sesa nxënës.
Ka dalë në pension mësuesi i lëndës?
Ka dalë dhe në vend të tij kanë sjellë për pak ditë një mësues të sëmurë për ta zëvendësuar me nipin e tij. Kanë sjellë sa për sy e faqe një mësues me portal nga shkolla e “Gradecit”, ku punon gruaja e drejtorit, pastaj futi në punë nipin e tij përfundimisht. Të siguroj 100% se gjithë komuniteti në këtë zonë e kanë marrë vesh se çfarë ka ndodhur, por preferojnë t’i dërgojnë fëmijët me shkollë në Shkodër, sepse s’ka mësues të profilizuar, s’ka bazë materiale, s’ka korrektësi punë. Nuk e di dhe sa persona mund të jenë me licencë në lëndën Histori në Malësi të Madhe.
Diskutime rreth kësaj post