Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias bëri një vizitë në Qipron Jugore dhe u takua me homologun e tij Nikos Christodoulides dhe presidentin Nikos Anastasiadis.
Të dyja palët vendosën për hapin e radhës që do të ndërmarrin përpara mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së që do të zhvillohet në Berlin më 27 dhe 28 gusht.
Greqia dhe Qiproja Jugore u shprehën se zhvillimet në Mesdheun Lindor do të përcaktojnë të ardhmen e marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë, thanë të martën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke pretenduar se aktivitetet e Turqisë në rajon janë të drejtuara kundër BE-së, Dendias i bëri thirrje bllokut të përgjigjet duke iu kundërvënë asaj.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias u shpreh se “Turqia po injoron ligjin ndërkombëtar dhe detar si dhe vlerat evropiane”.
Greqia, Qiproja Jugore dhe Franca kanë kërkuar që “BE-ja të vendos sanksione ndaj Turqisë për shkak të aktiviteteve të saj në rajon”.
Turqia javën e kaluar rifilloi kërkimet e burimeve në Mesdheun Lindor pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme detare për delimitimin.
Marrëveshja erdhi disa ditë pasi Ankaraja tha se do të shtyjë kërkimet e saj të naftës dhe gazit si një gjest i vullnetit të mirë.
Por, pasi e shpalli marrëveshjen greko-egjiptiane “të pavlefshme”, Turqia autorizoi anijen kërkimore sizmike Oruç Reis të vazhdojë aktivitetet e saj në zonën brenda shelfit kontinental të vendit.
Anija do të vazhdojë misionin e saj dy-javor deri më 23 gusht së bashku me anijet Cengiz Han dhe Ataman.
Turqia ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet e Greqisë për shpalljen e zonës ekskluzive ekonomike bazuar në ishujt e vegjël pranë brigjeve turke, duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.
Turqia ka thënë gjithashtu se burimet e energjisë pranë Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila ka lëshuar një licencë të Turkish Petroleum dhe administratës qipriote greke të Qipros Jugore.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se e vetmja zgjidhje për mosmarrëveshjen ishte përmes dialogut dhe negociatave si dhe kërkoi nga Athina të respektojë të drejtat e Turqisë.
Diskutime rreth kësaj post