Kur demokratët po bënin ritualin e braktisjes së Parlamentit pas apelit nga Sali Berisha, socialistët artikuluan shumë qartë se cilat ishin dy opsionet mes të cilave opozita duhet të zgjedhë.
“Ti po mundohesh bashkë me partinë tënde të vonosh reformën në drejtësi, por të jesh i sigurt, o reformën në drejtësi, o në zgjedhje të parakohshme. Po nuk do të kesh më 1 milion shuplaka, do të shtohen edhe nja 100 mijë të tjera. 1 milion e 100 mijë shuplaka”, tha nënkryetari i grupit të PS, Taulant Balla.
Përgjigjia e demokratëve për këtë tezë, të artikuluar fillimisht nga kryeministri Rama, ka ardhur nga Uashingtoni. Lulzim Basha, i cili i ka përqendruar takimet me anëtarë të Kongresit tek lidhja që kanë mes tyre procesi i dekriminalizimit, reforma në drejtesi dhe zgjedhjet e lira, thotë se ka edhe një opsion tjetër për të luftuar korrupsionin dhe për të ndëshkuar keqqeverisjen.
“Pra, dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilin kam marrë mbështetjen e plotë e të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin amerikan”, deklaron Basha.
Nga Uashingtoni, ku ka patur takime me zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombeëare në Shtëpinë e Bardhe, Lulzim Basha përdori të njëjtin fjalor si të Sali Berishës kur kërkoi që Byroja e Hetimit të miratohet përpara amendamenteve të tjera të reformës në drejtësi.
“Ky është edhe testi i sinqeritetit për maxhorancën: barra e provës është në anën e Edi Ramës. Nëse është gati për reformën në drejtësi, testi i parë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Është së pari miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore për t’i hapur rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta. Dhe së dyti, implementimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta përmes kësaj Byroje dhe monitorimi i këtij implementimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”, nënvizoi Basha, raporton TCh.
Në Tiranë, Sali Berisha, që po drejton strategjinë e opozitës për reformën në drejtësi, e la në dorën e kryeministrit Rama të zgjedhë njërin nga 2 variantet e Komisionit të Venecias për Byronë e Hetimit.
Diskutime rreth kësaj post