Komisioni i Pavarur i Aplikimit, ka rikonfirmuar në detyrë prokurorin Arben Dollapaj, i cili aktualisht është në prokuror i Apelit në Shkodër.
Dollapaj ishte i pranishëm vetëm në seancën e kaluar dëgjimore, pa avokat. Trupa gjykuese drejtohej nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi, të cilët shqyrtuan të tri shtyllat e verifikimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, duke e konfirmuar prokurorin në detyrë.
Arben Dollapaj është pjesë e listës prioritare për shkak të funksionit si prokuror i Apelit në Shkodër dhe kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas raportit të ILDKPKI-së, të çuar për KPK-në, prokurori Dollapaj ka pasuri të justifikuar dhe s’ka fshehje të pasurisë. Edhe nga hetimi i thelluar, Arben Dollapaj rezulton me pasuri të justifikuara.
Prokurori Dollapaj u transferua në Shkodër në kohën që në krye të organit të akuzës ishte Adriarik Llalla me të cilin pati përplasje.
Ai ka pasur në shqyrtim disa nga çështjet më të rëndësishme, si “Banda e Lushnjes”, “Gërdeci” ku kërkoi rrëzimin e vendimeve të Shkallës së Parë dhe burgosjen e të pandehurve
Prokurori Arben Dollapaj ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës në Shqipëri. Dollapaj e ka filluar karrierën në vitin 1993. Në vitin 2003, ai ka qenë prokuror në Durrës, ndërsa në vitet 2004-2008 ka shërbyer si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në vitin 2016, Dollapaj u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës. Paralelisht me detyrën si prokuror, Arben Dollapaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë si dhe ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës
Express
Diskutime rreth kësaj post