Merret peng një person në Tiranë, Policia e liron në kohë rekord
TIRANË, 9 Janar
Një person është marrë peng rreth orës 11:40 të mëngjesit në Tiranë, por falë ndërhyrjes së Policisë ai ka rigjetur lirinë brenda më pak se tre orëve.
Burime policore sqaruan se ngjarja ndodhi në afërsi të shkollës “Bajram Curri”, ku shtetasi Ylber Kerri, 39-vjeç ishte duke shëtitur me të birin e tij. Gjatë kësaj kohe disa persona janë afruar me makinë tek 39-vjeçari, duke e marrë peng atë, ndërsa policia është njoftuar nga i biri i Kerrit, i moshës 8-vjeç.
Pas negociatave, policia mundi të lironte pengun 39-vjeçar Ylber Kerri. Policia kishte lokalizuar autorët në zonën e Paskuqanit rreth 30 minuta pasi kishte ndodhur pengmarrja. Tre personat morën me forcë dhe futën në makinën e tyre tip “Mercedes-Benz” 39-vjeçarin dhe pas 3 orësh ata e liruan. Policia nuk bën të ditur identitetin e tyre, ndërkohë që dyshohet se shkak ka qenë një borxh që i rrëmbyeri u kishte autorëve.
Mësohet se Ylber Kerri nuk ka pësuar lëndime dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, policia sqaron se falë një operacioni të shpejtë në një lokal pranë rrugës Siri Kodra, janë shoqëruar 12 persona në polici, të cilët dyshohet të kenë informacion, por ende nuk konfirmon arrestimin e pengmarrësve. Ndërsa në media thuhet se pengmarrësit janë pjesë e këtij grupi të shoqëruarish, të cilët së bashku me personin që u rrëmbye janë shoqëruar të gjithë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku dhe do të merren në pyetje për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Diskutime rreth kësaj post