Ilir Meta është zgjedhur sërish president, kësaj here jo në krye të shtetit, por në krye të Partisë së Lirisë. Në Konventën e Partisë së Lirisë që u zhvillua këtë të shtunë, Ilir Meta mori 690 vota, ndërsa kundërshtari i tij Faik Basha mori vetëm 27 vota. Konventa zgjati 6 orë, (Ora 10:30 – 16:00) ndërsa rezultatet e votimit u shpallën në mbrëmje vonë nga Tedi Blushi, sekretari i përgjithshëm i Kësaj Partie dhe Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë e Lirisë, z.Denis Turabi. “Votimet për Presidentin e Partisë së Lirisë dhe Zëvendës Presidentin e Partisë së Lirisë, u hapën në orën 13:00 dhe u mbyllën në orën 18:00. Në votimin për Presidentin e Partisë së Lirisë, morën pjesë 727 delegatë, nga të cilët 27 votuan pro kandidatit për President, z. Faik Basha dhe 691 votuan pro kandidatit për President të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj. 5 fletë votimi rezultuan të dëmtuara dhe 4 të pavlefshme”, deklaroi Blushi. Ndërkohë asnjë surprizë nuk pati as në rolin e zv/presidentes. Në këtë post do të jetë besnikja e tij, Erisa Xhixho, e cila arriti të merrte plot 680 vota.
Learn more
Reforma brenda PL
Por Ilir Meta duket se ja ka dalë ta largojë gruan nga funksionet drejtuese dhe grupin e Monika Kryemadhit, që ai i cilëson bashkëpunëtorë të SPAK. Pas 6 orësh mbledhje, Konventa e PL i mbylli punimet, ku u miratuan ndryshimet statutore për nepotizmin në parti, teksa u rrëzuan propozimet e Kryemadhit për konfliktin e interesit. Ai pranoi propozimin e saj për të rritur pjesëmarrjen e grave. Mirëpo, edhe pse nuk e fshehu keqardhjen se karriera e saj politike 30 vjeçare po i fshihej me një të rënë të lapsit, Kryemadhi deklaroi tërheqjen duke vendosur të pranonte vendimin e bashkëshortit kryetar partie për ta larguar nga strukturat drejtuese në emër të nepotizmit. “Normal që ndjej keqardhje pasi nuk mund të fshish 30 vite me një vendim e të përzënë për shkak se ke zgjedhur të ndërtosh familje dhe jo përfitime. Për mua familja është e rëndësishme. Mendoj se ka ardhur koha që prioritetet e Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era. Në 30 vjet Monika ka qenë gladiatore në arenën e luftës, por ka ardhur koha që Monika nuk do të luftojë më e nuk do të bëjë më shfaqje por do të shikoj prioritet të tjera”, deklaroi Kryemadhi para se të hynte në Pallatin e Kongreseve.
Meta akuza Kryemadhit
Vetë Meta përsëriti akuzat për nepotizmin në parti si dhe fajësoi Monika Kryemadhin sërish për djegien e mandateve. I bindur se bashkëshortja është pjesë e komplotit tradhtar që synonte t’i merrte nga duart Partinë atyre që janë kundër këtij vendimi u kujtoi se në luftë “një gjeneral nuk shkëmbehet me një kapter”. “Nuk dinte Stalini ti shpëtonte jetën djalit që e morën peng gjermanët. Mbylleni gojën. Nuk ju dhimbset djali im më shumë se mua. Unë Vasili mund ta shpëtoja por mund të humbja luftën. Po Churchilli budalla ishte që çoi çunin në Jugosllavi tek Tito?” tha Meta para Pallatit të Kongreseve. Sikundër e përmendëm më sipër, Meta partinë e spastroi dhe nga besnikët e Kryemadhit, teksa bëri të qartë, se me të s’ka lojëra. “Nuk bëhet opozita një dorë bakllava e një dorë revani. Kush qëndron këtu për të bërë lojërat e don Agaçit apo atij Tarallakut e ka gabim sepse Ilir Meta ka bërë shkollën e Ramiz Alisë, Fatos Nanos dhe Berishës dhe i ka bërë të gjithë shkolla për tu përballur me mafien. Unë kam nevojë për dashuri pa kushte”, deklaroi Meta ndër të tjera gjatë fjalimit të tij para 900 delegatëve. Por e gjithë Konventa ishte një shou mediokër. Sado Ilir Meta të mundohet të thotë pas 20 vitesh se LSI (PL) nuk është parti familjarë, nuk e heq dot damkën. Kjo parti u krijua mbi nepotizmin, mbi punësimet mbi paranë dhe mbi vjedhjen. Vetëm këto i dhanë vota Metës. Duke tentuar të zhbëjë këtë damkë, Meta mund të përfundojë pa gjë fare në zgjedhjet që vijnë, gjithmonë nëse SPAK fle gjumë.
Kreu i PL shpërthen ndaj ndërkombëtarëve
Gjatë fjalimit 2 orësh, Ilir Meta përpara delegatëve të Konventës Kombëtare, sulmoi hapur ndërkombëtarët. Solli në vëmendje eksperiencën me ambasadorin italian Alberto Cutlio-n, duke theksuar se do ta shpallte “non-grata”, pasi ai s’mund të dilte kundër një dekreti të presidentit. Ish-ambasadori italian komentoi dekretin e Metës, asokohe president për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. “Se McGonigalët kujtojmë se ne jemi popull pulash që na thonë shkelni Kushtetutën e bëjeni fertele. Turp për Cutlio-n. Të dalë ambasadori i Italisë dhe të diskutojë dekretin e presidentit të republikës ku ndodh kjo. Do e kisha shpallur non-grata, por vetëm prej marrëdhënieve me Italinë nuk e bëra. Nëse një ambasador diskuton dekretin e Bajram Begaj unë i pari do dal përpara ambasadës do mbledh gjithë Shqipërinë para asaj ambasadës”, tha Meta. Sakaq, ai akuzat nuk i kurseu as një drejtim të Lulzim Bashës, kreu të Partisë Demokratike, për të cilin tha se nuk fitohet duke fjetur gjumë dhe duke shumëzuar 7×7=42. Meta tha se dy kompani izraelite të cilat punonin për Bashën dhe për Ramën, kanë punuar kundër LSI-së dhe akuzoi Ramën se po kërkon të asgjësojë partinë e Lirisë. Ndërkohë nga Konventa e Partisë së Lirisë, ku zgjodhi veten president të saj, Ilir Meta shkoi poshtë ballkonit të Sali Berishës në “arrest shtëpie” për aferën “Partizani”, ndërsa veshur mbante bluzën “Lironi liderin e opozitës”. Fjalën e tij e nisi duke i thurur lavde Berishës. “Berisha nuk është në arrest shtëpie, është në piedestal”, tha Meta. As poshtë ballkonit të një personi nën hetim, nuk i ndali sulmet ndaj SPAK. “Jam të shumtë ata që thonë pse nuk ka ardhur Ilir Meta kë? Si kryetar nuk mund të shkoja, më duhej të bëhesha president të shkoja tek Sali Berisha që është presidenti i përgjithshëm . SPAK apo SKAP nuk guxon t’i përmendë emrin Ramës që në dy orë kaloi 17 vendime. Nuk po flas për PPP, për tendera sekret, për hata të tjera, këta mburren dhe thonë se po godasim pandëshkueshmërinë, duke u marrë me Sali Berishën, të cilin ka plot shqiptarë që se pëlqejnë, por i cili ka qenë një simbol i integritetit njerëzor dhe shtetëror”, nënvizoi Meta.
Diskutime rreth kësaj post