Nga Mero Baze
E ke të lehtë të bësh spektakël me drejtorë hipotekash. Nuk ka qytetarë të këtij vendi të mos jetë përballur një herë në jetë me hipotekën dhe të mos ketë shtrënguar dhëmbët dhe kur i kanë mbaruar punë më shpejt se sa të tjerët. Natyrisht ndodh që drejtuesit e tyre, të jenë shkaku i shumë problemeve të qytetarëve, por në tërësi ata nuk janë e keqja më e madhe.
Në mënyrën se si funksionon institucioni i hipotekave tek ne, ka një problem që duhet tejkaluar ndoshta me një ndërhyrje ligjore.
Të hipotekosh një objekt në Shqipëri, (nuk po flas për tokë) në këtë lëmsh ligjor të origjinës së pronës, që vjen dikush nga disa drejtime, ALUIZNI, nga ish prona, nga blerja apo trashëgimia, është një tmerr. Dhe akoma më keq ekzistojnë ende disa diferenca ligjore, mes qytetit dhe fshatit lidhur me pronësinë, territorin dhe mënyrën se si e përfiton pronën. Fjala vjen edhe pse Shqipëria është e gjitha e organizuar në 61 bashki, një banor i një fshati, nëse e ka oborrin 1000 metra nuk i quhet dhe i regjistrohet 300, se kështu ka qenë kur ishin kooperativat, kurse një banori në qytetet i regjistrohet oborri aq sa e ka, sepse ka një ligj për oborret. Pra ligji i oborreve funksionon vetëm për ato që quhen qytete.
Por problemi kryesor mendoj se qëndron tek pushteti i fortë dhe i paqartë, pra relativ, që ka hipoteka mbi të drejtën për të ta regjistruar një pronë, sidomos një ndërtim.
Fjala vjen, problemi më i madh në qytete, është mos regjistrimi i banesave në pallate, që dikush ka bërë një shtesë. Për shkak të tij nuk merret leja e koalidimit dhe dhjetra banorë mbeten pa hipotekë. I ngjashëm është rasti siç u trajtua së fundmi i zhdukjes së ndërtuesit pa paguar detyrimet. Probleme të ngjashme ka me godina të vjetra të komunizimit që s’kanë regjistrim solid juridik, apo dhe forma të tjera të problematikës së godinave.
Një zyrë hipotekore mund të të nxijë jetën me të drejtë gjithë jetën për të rregjistruar një pronë të tillë.
Ajo që duhet bërë është ndoshta zbutja e pushtetit jurudik të zyrave hipotekore, të cilat kanë gati atribute gjykatash dhe detyrimi i tyre për të rregjistruar gjithçka që ekziston, duke shtuar një barrë penguese për veprime të mëtejshme.
Pra, nëse dikush e ka një apartament në një pallat i cili ka probleme që nuk lidhen me të, ai nuk mund të rrijë pa u rregjistruar. Hipoteka mund t’ia rregjistrojë gjendjen faktike të apartamentit, duke i vendosur një shënim në rregjistër për problematikën. Kështu problematika mbartet në rregjistra dhe zgjidhet me mjete të tjera, por nuk pengohet rregjistrimi i pronës për një problem që nuk varet nga qytetari.
Nga ana tjetër mos rregjistrimi i shumicës së pronave në Shqipëri, i ka shkaktuar shtetit dëme të mëdha fiskale, pasi njerëzit kanë apartamente dhe godina për të cilat nuk paguajnë taksa.
Thelbi i problemit është që zyrat e rregjistrimit të jenë vërtet zyra rregjistrimi, pra rregjistra pronash dhe jo “gjyqtarë” që vlerësojnë problematika që shoqërojnë pronat. Ato le të jenë të evidentuara qartë dhe të zgjidhen më tej në rrugë ligjore.
Nga ana tjetër, zyrat e rregjistrimit, duhet të detyrohen dhe të penalizohen, nëse nuk kanë të rregjistruar territorin që mbulojnë, duke ia përshkruar problematikën.
Kjo ndoshta do t’u hiqte nga duart, një pushtet të pamerituar rregjistruesve, të cilët janë në pozicion pasiv, pra presin çfarë t’u çosh dhe regjistrojnë, çfarë “gjykojnë”.
Po ashtu hipotekat, duhet të shpallen përgjegjëse për rregjistrime të gabuara për faj të tyre. Ka dhjetra fshatra dhe zona të caktuara urbane në Shqipëri, që janë vetërregjistruar gabim nga hipotekat, që angazhojnë kompani private dhe nuk ka zot t’i kthejë më në gjendjen fillestare, pasi mungojnë iniciativat ligjore dhe kompetencat e hipotekës në këtë pikë. Spostimi me një numur i një pasurie në një zonë, mund të sjellë telashe për 100 prona të tjera dhe kjo e bërë nga vetë hipoteka, por rruga e zgjidhjes nuk kalon më nga ata. Ata thjeshtë ngrejnë supet dhe të detyrojnë të blesh shtrenjtë gabimin e tyre.
Një reformë ligjore, që të detyrojë zyrat hipotekore të kenë më pak të drejta për të “gjykuar” dhe më shumë detyrim për të rregjistruar dhe fotografuar realitetin, do të ishte lehtësuese, pasi do zbuste problemin e mbetjes pa asnjë lidhje me pronën dhe do t’i jepte shtetit një dorë të mirë parash të pambledhura në vite nga fakti që qindra mijëra apartamente vila apo pallate akoma “nuk ekzistojnë” me letra.
Fuqia juridike e këtij rregjistri, pastaj varet nga shkalla e problemeve që shoqëron pronën tënde, të cilat duhet të pastrohen hap pas hapi. Por pushteti real që kanë hipotekat për të “gjykuar” mbi vlefshmërinë e pronës tënde, është shumë e madhe, shumë relative, dhe natyrisht prodhon një pushtet te tepruar, që gjeneron korrupsion.
Dhe këtë korupsion Edi Rama nuk e zhduk dot, duke ndërruar 18 apo 35 drejtore. Ajo vërtet nuk është vetëm çështje njerëzish. Hipotekat në Shqipëri janë gjykata dhe jo rregjistra dhe natyrisht drejtorët sillen si gjyqtarë “të pavarur” dhe jo si rregjistrues. Mos u merrni me emrat e tyre, por me pushtetin absolut për qëndrime relative, që u është dhënë. /TemA/
Diskutime rreth kësaj post