Nga Meri Lika:
Nga dje, Partinë Demokratike po përpiqen ta drejtojnë disa njerëz të vegjël. Përdorimin e fjalës ‘të vegjël’ e kam në dy kuptime, si për nga mosha ashtu edhe për nga morali. Kur them nga mosha mos u keqkuptoni. Nuk e kam fjalën se janë të rinjë, jo, mua më pëlqen kur të rinjtë marrin në duar fatet e një vendi, ashtu siç bëmë edhe ne në dhjetorin e nëntëdhjetës, por në këtë rast e kam fjalën për moshën tejet të vogël që kishin anëtarët e Kuvendit të datës 18 dhjetor.
Nuk dija si të reagoja kur, pash fytyra fëmijësh të cilët të hutuar ngrinin kartonin jeshil për të aprovuar vendimet e kuvendit! U zhyta në një amalgamë mendimesh. Imagjinata m’u harlis dhe fillova të shikoja deputetët e legjislaturës tjetër, disa 11 deri 15 vjeçarë, moshatarët e tim biri, të cilët me forcën e logjikës, të mendimit dhe të eksperiencës së tyre, e kishin zhytur shtatë pashë nën dhe, korrupsionin e partisë në pushtet.
Me mendje fillova të recitoja Naimin:
‘Lumja ti PD, o lule
që i le pas shoqet e tua
si trimi në ball u sule,
ta paçim për jetë hua’
Por, kur isha duke shijuar fitoret e ‘Partisë Demokratike’ në udhëheqjen e lavdishme të Lulëzim Bashës, e kësaj partie që e la pas të shkuarën dhe po na ndriçon të ardhmen me këtë anëtarësi më shumë se të re në moshë, djali im që ka moshën e atyre kandidatëve të kuvendit të djeshëm, filloi të përkëdhelej duke më folur tek veshi si një fëmijë 3 vjeç duke i ngrënë gjysmat e gërmave, e pikërisht në atë moment dola nga mendimet e mia ku po ëndërroja opozitën e rinovuar.
Pikërisht në atë moment, brenda meje, filloi protesta e një nëne, filloi protesta e një njeriu që do të ardhmen e mirë të fëmijëve të saj, protestova brenda vetes sepse e dija që fëmijët e tërhequr përdhunshëm në shkallët e Pallatit të Kongreseve për të ngritur kartonin jeshil, nuk kishin asnjë faj.
Ata thjesht u përdorën siç shpesh përdoren fëmijët nëpër fushata, pa e ditur atë që po i detyrojnë të bëjnë. Fajtorët janë tjetërkund. Fajtorët e parë janë prindërit, të cilët nisur nga interesi, i z*v**arrisin drejt mashtrimit dhe gënjeshtrave, por fajtorët kryesor janë ata që i numërojnë si vota të sigurta dhe i fusin tek 99.9%-shi i atyre që janë pro.
Këtu fillojnë njerëzit e vegjël në moral. Nëse dje, do të isha unë në vendin e Lulëzim Bashës, do të më vinte turp nga vetja të mbaja një karrige duke përdorur fëmijët, do më vinte turp ta shihja tim bir në sy kur të kthehesha në shtëpi pasi të kisha përdorur moshatarët e tij, që me duart e tyre të vogla dhe të pafajshme, të më mbanin karrigen time të zhytur në paaftësi, pamoral dhe karagjozllëk.
Do të më vinte turp nga fëmija ime, nëse do të isha katandisur në një njeri të vogël, pa moral, pa princip, pa ide, pa forcë, pa mendim, pa kauzë. Por, më tepër do të më vinte turp për shembullin që do t’i tregoja tim biri se si pakica mund të përdor çdo mjet që të mos e lejojë shumicën të vendos. Unë uroj që kjo batërdi të mos ndodh, pra që pakica të mundet të mbajë Partinë Demokratike. Unë uroj që Zoti të mundet t’i dërgojë pak turp të paturpit, t’i dërgojë pak dinjitet të padinjitetit, t’i dërgojë pak moral të pamoralshmit, që njeriut të vogël, aman o Zot të lutem, t’i dërgojë sadopak gjatësi mendimi.
Por edhe nëse Zoti nuk i bën të gjitha këto, do ta bëj shumica, sepse shumica është Zoti.
‘Presioni i madh – pfuuuuuuuuuj, presioni i vogel – pfuj.’
E kuptove Agush? Shumica ka presionin e madh në dorë, dhe nuk e gradon tek sarajet e Mere Fizit po direkt dhe tek karriget. Uroj që Agushët e partisë më të madhe opozitare, të ngrihen vetë nga karrigia, përpara se shumica të ushtrojë ‘presionin e madh – pfuuuuuuuuuuuj.
Diskutime rreth kësaj post