Analisti Mentor Nazarko ka komentuar linjën e komunikimit që ish-kryeministri Sali Berisha pati në konferencën e zhvilluar dje.
Nazarko tha se Berisha vendosi disa piketa për sjelljen e PD dhe kushtëzime të koduara sa i përket marrëdhënies me Bashën. Sipas analistit, kushtëzimi lidhet me të ashtuquajturën dosje ruse, që Berisha “mbrojti” Bashën.
“Vija e sjelljes që Berisha parapriu për shtatorin ishte një vijë e fuqishme presioni. Ai la të kuptohej se nuk do kishte tërheqje. La të kuptohej se do kishte trefishim të agresivitetit të gjuhës së tij në mbrojtje apo edhe denoncuese, vendosi disa piketa për sjelljen e PD-së në të ardhmen, la të kuptohej se mes tij dhe Bashës ka një raport luajaliteti të plotë. Në gjykimin tim, ai në mënyrë të koduar la të kuptohen dhe disa kushtëzime që e përcaktojnë këtë luajalitet. Unë kam një lloj intuite se cilat ishin ato kushtëzime, që në mënyrë të koduar ai ia përcolli Bashës, probabilisht mund të ishte e ashtuquajtura dosja ruse që sipas Berishës iu dorëzua nga Donald Lu-ja. Këto ishin linjat e komunikimit të tij”, – u shpreh ai.
Analisti tha se lëvizjet e Berishës do të ndikojnë në PD duke e përfshirë atë në një përplasje frontale me Amerikën. Sipas tij, sado që ish-kryeministri deklaroi se beteja është e tij, prapë se prapë do të sjellë përplasje në PD.
“La të kuptohej që do të përfshihet në një luftë, jo ai individualisht, por PD, madje edhe Basha sepse la të kuptohej që Basha është tërësisht në të njëjtën varkë me të; pra la të kuptohet që PD-ja do të përfshihet në një përplasje frontale me SHBA-të. Pavarësisht se Berisha mundohet të tregojë që shikoni se unë nuk jam antiamerikan, shikoni se PD-ja është parti pro amerikane; përplasjet e tij me të gjithë ambasadorët, duam s’duam, do s’do ai e vendos qartësisht në një linjë përplasje me Amerikën”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post