Dëshmia e ish-ministrit Nase: Radiogrami u përgatit nga Kadriu e Mehmeti fshehtas Enverit dhe iu dërgua i shifruar me radio nga unë gjithë ambasadave shqiptare në botë!
Dëshmia e Nesti Nases, ish-ministër i Jashtëm në seancën e 18-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, ‘fundos’ më tej Kadriun, Feçor Shehun e pjesëtarët e tjerë të “grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja”. Sipas Nases, një nga pjesëtarët e këtij grupi, veprimtaria e Mehmet Shehut e anëtarëve të tjerë të këtij grupi armiqësor, i ka sjellë një dëm të konsiderueshëm Kosovës e kosovarëve, veçanërisht në vitin 1981. “Ishte viti 1981, vit në të cilin kosovarët kërkonin jo autonomi nga serbët, por Republikë. Por Mehmet Shehu e Feçor Shehu, fshehtas Enver Hoxhës, përgatitën një radiogram të cilin e firmosa unë dhe ua dërgova gjithë përfaqësive në botë. Në radiogram kërkohej që kosovarët të mos kërkojnë ‘Republikë’, pasi është një e tillë, është Republika e Shqipërisë. Për këtë veprimtari armiqësore, është radiogrami..”- pohoi Nesti Nase në këtë seancë…
Kryetari(Aranit Çela):- Të vijë Nesti Nase. Emri Nesti, mbiemri Nase, emri i nënës…
Nesti Nase(Ish-Ministër i Jashtëm):- Olimbi. Datëlindja 14 prill 1922. Kam qenë anëtar i Partisë dhe jam përjashtuar. Nuk kam qenë i dënuar ndonjëherë…
Kryetari: – Të kemi thirrur ty Nesti Nase për të na dhënë atribuime në drejtim të të pandehurve të çështjes që po gjykohet këtu dhe ka të bëjë me Feçor Shehun, Kadri Hazbiun, Mihallaq Ziçishtin, Xhavit Ismailagën, Gani Kodrën, Ali Çenon dhe Llambi Peçinin, duke u nisur gjithmonë, nga shpjegimet që ti ke bërë në procesin tënd. Shkurt, çfarë di ti?
Nesti Nase:- Tani, dua të them, siç dihet, unë kam qenë anëtar i organizatës kundër revolucionare, puçiste-komplotiste që drejtohej nga poliagjenti Mehmet Shehu. Gjatë kohës që kam qenë anëtar i kësaj organizate kam kryer detyra agjenturore të ngarkuara nga Mehmet Shehu, si dhe detyra të tjera që kishin të bënin me politikën e jashtme të Partisë tonë. Gjithashtu, jam njohur dhe me veprimtarinë armiqësore të anëtarëve të tjerë të kësaj organizate komplotiste e puçiste…
Do të flas këtu për të pandehurin Kadri Hazbiu. Tani, unë kam pasur ballafaqime dhe ja kam thënë hapur, domethënë çfarë kam ditur. Por sot do të them shkurtimisht ato gjëra më kryesore lidhur me veprimtarinë armiqësore të këtij armiku të betuar të Partisë e të popullit tonë.
Kadri Hazbiun e kam njohur në vitin 1946 në kohën kur unë kam qenë shef sigurimi regjimenti dhe ai ka qenë shefi i sigurimit të ushtrisë. Kam pasur një takim lidhur vetëm me çështjen e martesës në atë kohë. Pastaj më vonë e kam njohur, kam pasur kontakte më shumë si të thuash në vitin 1960, kur unë kryeja detyrën e ambasadorit të Republikës Popullore të Shqipërisë, kohë në të cilën Kadriu vinte e takonte krerët më të lartë të sigurimit të Bashkimit Sovjetik. Kam për të thënë këtu një veprim të tijin, i cili që atëherë, mu duk i pa drejtë. Se ishin organet e sigurimit që prenë lidhjet atëherë me organet e sigurimit sovjetik. Gjithashtu kam për të thënë që në Bashkimin Sovjetik ai kishte një student rezident që quhej Ismail Qineti. Ky Qineti, kishte futur në rrjetin e tij dhe studentë të tjerë dhe një ditë mësova se këtë listë, ai ia kishte dhënë organeve sovjetike. Kjo ka ndodhur pikërisht në atë moment që marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në pikun e acarimit e në prag të ndërprerjes së tyre. … Sovjetikët, në atë kohë, filluan të punonin direkt me studentët tanë, pasi ata kishin që më parë listën e plotë të rrjetit tonë agjenturor që u ishte dhënë nga Ismail Qineti. E thërras Ismail Qinetin dhe i them pse ke vepruar në këtë mënyrë. Ai më thotë: Unë kam vepruar në bazë të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme.
Më vonë, me Kadriun, kam pasur kontakte të rregullta, të shpeshta, sidomos në kohën që u bëra ministër i Jashtëm. Domethënë nga viti 1966. Koordinonim punën bashkë si kolegë, pasi ai kishte agjenturën që vepronte jashtë shtetit… Kam konstatuar se Kadri Hazbiu ishte një ambicioz dhe dinak… Gjatë kohës që kam qenë ministër kam pasur kontakte të shumta me Kadri Hazbiun. Por kam pasur kontakte edhe duke qenë prezent edhe poliagjenti, domethënë, kryetari i organizatës sonë kundër revolucionare, Mehmet Shehu. Në shumë raste, kam vënë re se ata shkonin shumë, shumë… Kadri Hazbiu i hidhte lule Mehmetit dhe Mehmet Shehu i hidhte lule Kadriut. Flas për lidhjet e tyre si anëtar të grupit tonë…
Ishte viti 1977. Isha me shërbim në Tropojë. Aty erdhi gjatë mbrëmjes e ndenji një natë, Kadri Hazbiu. U mblodhën shokët e rrethit, udhëheqësit e rrethit… Në bisedë, në një rast, Kadriu dha një porosi që ishte në kundërshtim me porosinë që kishte dhënë një sekretar i Komitetit Qendror. Unë ndërhyra dhe i thashë se nuk është ashtu, e ja kujtova si ishte porosia e sekretarit të Komitetit Qendror. M’u drejtua kështu: Lëre mo atë, ç’më flet për atë mua ti! Kadriu kishte një urrejtje për drejtuesit e Partisë… Ishte karrierist Kadriu. Unë kam deponuar në hetuesi, ja kam thënë hapur në ballafaqim dhe Kadriut, atë që më ka thënë vajza e Kadriut. Ajo më ka thënë: Pas vdekjes së Sekretarit të Komitetit Qendror(H.Kapo), babai jonë lodhet shumë. Babait tonë i takon një post më i madh, i takon posti i sekretarit të Komitetit Qendror! …Kadriu, bashkë me Mehmet Shehun kishin qëllimet e veta komplotiste, atë të marrjes së Partisë e të pushtetit e ndërrimin e kursit të vendit tonë në një vend revizionist.
Tjetër për Kadriun ka qenë ajo, kur Hysni Kapo ishte i sëmurë e ndodhej në Paris. Ky problem u mbajt tepër sekret. Me radiogramet që vinin për shëndetin e tij, porosia ishte e prerë, njiheshin vetëm 3 persona. Ai bënte çmos ta merrte një kopje. Unë, sipas porosisë që kisha nga Sekretari i Parë i Partisë (Enver Hoxha) nuk ja jepja. Atëherë, më detyroi Mehmet Shehu me urdhër që t’ia jepja dhe Kadriut. Unë bëra urdhrin si ministër, e shënova që është me urdhër të Mehmetit dhe e firmosa…
Një punë shumë të poshtër e armiqësore ka bërë Kadri Hazbiu lidhur me çështjen e zbulimit. Në kundërshtim me porosinë e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror(E.Hoxha), Kadri Hazbiu ka dërguar në shërbimin jashtë shtetit shumë persona të ‘djegur’, gjë e cila bëhej për qëllimet e grupit e në dëm të Partisë e vendit tonë. Një nga këto raste, ishte dhe rasti i Perlat Çaushit. Perlat Çaushi ishte kryetar dege në Vlorë, e në këtë kohë kishte lidhje me kapitenin e një motobarke. Ky kapiteni, bashkë me disa njerëz, u arratis nga Himara dhe në deklarimet e ndryshme që bëri jashtë vendit, pohoi se kishte lidhje me kryetarin e degës së Vlorës, Perlat Çaushin. Pikërisht në këtë kohë, Perlat Çaushi propozohet të shkojë këshilltar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Unë ndërhyra e thashë që kjo nuk është e drejtë, pasi Perlati është ‘deshifruar’, por u insistua dhe u dërgua këshilltar në Vjenë…. Rast tjetër është ai i Mustafa Kadiut. Disa herë kishte shkruar shtypi jugosllav për Mustafa Kadiun që ishte zbulues shqiptar. Por dhe pse i ‘deshifruar’, atë e dërgoi Kadriu këshilltar në Beograd.
Rast tjetër është ai i Skënder Konicës që u dërgua këshilltar në Itali. Italianët, menjëherë sapo morën vesh që nga ana jonë paraqitej si ambasador i Shqipërisë në Itali, menjëherë shtypi i tyre shkroi se Konica është agjent i Sigurimit, duke përmendur dhe emrat e personave me të cilët mbante lidhje. Për këtë më ka thirrur në telefon Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha. Nga shtëpia e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror kam marrë në telefon Kadri Hazbiun dhe Kadriu ka ardhur menjëherë aty. Na ka kritikuar rëndë Kadriun dhe mua për veprimin që u bë me Skënder Konicën. Këtu në ballafaqim, në hetuesi e deponime, Kadriu thotë që nuk e mban mend këtë. Unë e kam parasysh si sot kur e kam marrë në telefon Kadriun në shtëpinë e vjetër të tij për këtë se na kërkonte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Më kujtohet dhe numri sekret i telefonit të Kadriut, 44… Me gjithë këto kritika të rënda të Sekretarit të Parë, unë, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, nuk i zbatuam këto porosi në të ardhmen..
Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu, kanë sabotuar me qëllim armiqësor ngritjen e rezidencave të sigurimit në vendet e Evropës Lindore. Kjo nga viti 1960 deri në vitin 1968, para dhe pas agresionit sovjetik kundër Çekosllovakisë. …Kadri Hazbiu e kishte në majë të gjuhës dhe thoshte për këtë: Rreziku nuk na vjen nga Lindja, rrezikun e kemi nga Perëndimi… Vetëm më vonë, me ndërhyrjen e Komitetit Qendror të Partisë, i ngritëm këto rezidenca.
Tjetër veprimtari armiqësore e Kadri Hazbiut me miratimin e Mehmet Shehut kanë qenë udhëzimet që sigurimi jonë jashtë vendit, të merret vetëm me emigracionin, domethënë, nuk duhet të tentonte dhe të futej në organet e Pentagonit, të ushtrive të ndryshme… Kjo, sepse ata ruheshin si ky, po në mënyrë të veçantë Mehmet Shehu, se mos kështu preknin apo zbulonin veprimtarinë e grupit armiqësor që drejtohej nga Mehmet Shehu…
Tjetër veprimtari armiqësore e këtyre ishte vënia e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë… Pra, kjo ishte fryma që kishte futur Kadri Hazbiu, më pas dhe Feçor Shehu dhe na kanë krijuar telashe shumë të mëdha edhe në Ministrinë e Jashtme. Raste të tilla mund t’i kujtoj armikut Kadri Hazbiu në Beograd, Paris Vjenë, etj…
Kadri Hazbiu kishte një urrejtje të madhe për jehonën e madhe që u bëhej veprave të Udhëheqësit(Enverit) në botë… Ai më merrte në telefon në shumë raste, ndërsa kur merrte telegramet dhe shikonte fjalët e mira për veprat e Udhëheqësit, si ky, si Mehmet Shehu, do të gjenin momentin e do shprehnin pakënaqësi, që ishte punë armiqësore në fakt. Mehmet Shehu thoshte: Ç’janë këto pallavra, po na mbushin me pallavra këta, njërën e tjetrën, me fjalë boshe!… Ndërsa Kadri Hazbiu, thoshte se me këto ‘shifra boshe ngarkohen dhe prishen radiot’. Ata, si pjesëtarë të grupit agjenturor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, kishin urrejtje të madhe për Udhëheqësin!
Tani, lidhur me një problem shumë të rëndësishëm dhe armiqësor që është çështja e Kosovës. Dihet që në vitin 1968, Kosovës ju dha statusi i Krahinës Autonome, por, në këtë kohë, kishte dhe një lëvizje për statusin e Republikës. Një gjë dua të them: Si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, jo vetëm që kanë urryer, domethënë, problemin për çështjen e luftës dhe përpjekjeve që bënin kosovarët për afirmimin e tyre kombëtar, por kanë bërë të gjitha përpjekjet, s’kanë lënë gurë pa lëvizur, s’kanë lënë forma pa përdorur, për ta penguar afirmimin e më tejshëm kombëtar të popullit të Kosovës…
Ishte viti 1968-1969… Më kujtohet fare mirë, dhe Kadri Hazbiut i kujtohet kjo, sepse është dhe dokumenti, prova, është me shkrim radiogrami. Por më kujtohet kur më mori në telefon dhe në mënyrë shumë imponuese më tha që bisedova me Mehmet Shehun dhe ai më tha që: Duhet që në asnjë mënyrë të mos pranojmë idenë e krijim-dhënies të statusit Republikë për Kosovën. Duhet t’i pengojmë në çdo mënyrë që ata, të veprojnë në këtë mënyrë, sepse ka një Shqipëri, etj… Më mori në telefon Kadriu dhe po më thoshte idetë kryesore të udhëzimit që duheshin dhënë përfaqësive. Po në të njëjtën kohë, thashë, më mori në telefon dhe Mehmet Shehu e më tha të njëjtat gjëra, të njëjtat mendime si të Kadriut. Thëniet e tyre përputheshin plotësisht edhe me radiogramin që u përpilua nga Kadri Hazbiu, kurse me shkrim e bëri Skënder Konica, që në atë kohë ishte zëvendësdrejtor i zbulimit. Për të firmosur, e firmosa unë dhe pastaj iu dërgua përfaqësive. Veç asaj, në radiogram vihej dhe një shënim i vogël. Në atë shënim thuhej që ‘udhëzimin më të plotë ta shikoni në radiogramet që do të venë në kanalin tjetër të zbulimit’.
Di një gjë, që radiogrami që u përpilua, ishte në kundërshtim flagrant me qëndrimin dhe vijën e Partisë. Ishte pikërisht në kundërshtim me qëndrimin që ka mbajtur Partia jonë në vitin 1981, por dhe gjatë luftës. Kjo dihet mirë nga tradhtari Mehmet Shehu dhe armiku Kadri Hazbiu, pra si e ka trajtuar Partia jonë çështjen e Kosovës… Mund t’i kujtoj këtu Kadri Hazbiut se gjatë vitit 1981, u bë një artikull i tërë për këtë, ku tregohet gjithë historiku, që nga Bojana, që gjatë luftës, në mbledhje të ndryshme që janë bërë dhe deri në ditët që zhvilloheshin ato ngjarje të rëndësishme në Kosovë atë kohë. Në çdo rast, Partia jonë ka mbajtur një qëndrim. Kurse ne dhamë udhëzimin që jo vetëm mos të përkrahet ideja e dhënies së statusit të Kosovës, por të luftohet kjo si ide reaksionare, si një ide që bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë, se ka një Republikë dhe ajo është Republika Popullore e Shqipërisë, prandaj nuk duhet në asnjë mënyrë që të përkrahet ideja e dhënies së statusit Republikë për Kosovën. Kjo, jo vetëm që t’u thuhej kosovarëve, të cilët e kishin kërkuar këtë mendim, por njëkohësisht t’u thuhej dhe në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër edhe autoriteteve jugosllave. Pra, ishte një ndihmë direkt që u bëhej autoriteteve titiste jugosllave, serbomëdhenjve, lidhur me mospërkrahjen e idesë për statusin ‘Republikë’ për Kosovën. Po kjo veprimtari armiqësore dhe ky qëndrim i tillë nuk qëndroi deri këtu, si të thuash, vazhdoi më tej.
Pikërisht, në vitin 1970, Udhëheqësi i partisë, Sekretari i Parë(Enver Hoxha) mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm në Tropojë. Me këtë fjalim në Tropojë, ai jo vetëm paraqiti se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, por në mënyrë të veçantë ngriti problemin e marrëdhënieve tona me Kosovën. Dhe ngriti si të ligjshme, në bazë të normave ndërkombëtare, në bazë të të drejtave tona, të gjakut, në bazë të asaj që janë në tokën e tyre, që ne kemi të drejtë të interesohemi për vëllezërit tanë në Kosovë dhe t’u japim mbështetjen për afirmimin e mëtejshëm kombëtar. Udhëheqësi tha në Tropojë se s’ka askush të drejtë të na pengojë ne në këtë drejtim dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, që vëllezërve tanë në Kosovë, t’u japim atë përkrahje dhe atë ndihmë që u nevojitet për afirmimin e mëtejshëm të tyre kombëtar. Ky fjalim i mbajtur në Tropojë, si të thuash, ishte një program i tërë, përcaktonte detyrat e orientimet jo vetëm për Ministrinë e Jashtme, por për çdo institucion që kishte marrëdhënie me Kosovën.
Kadri Kazbiu dhe Mehmet Shehu u munduan dhe u përpoqën me të gjitha format për ta siluruar këtë orientim e këtë porosi të Udhëheqësit (Enverit). Pas zbërthimit që iu bë këtyre porosive në Ministrinë e Jashtme e institucionet e tjera arsimore e kulturore, u përcaktuan programe më konkrete që do të zbatoheshin mes Shqipërisë e Kosovës. Këto programe parashikonin ardhjen e grupeve mësimore, ardhjen e grupeve artistike, kulturore, shkencore dhe vizitorët. Si të thuash, filloi puna në këtë drejtim.
Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, edhe më vonë, në atë kohë dhe Feçor Shehu si drejtor i Sigurimit, krijuan si të thuash një atmosferë mbytëse për kosovarët, krijuan një atmosferë mosbesimi midis tyre, i ndiqnin këmba-këmbës. Nuk linin gjë pa bërë për të krijuar atë dyshimin tek ata, gjë që binte në sy. Kosovarët nuk lejoheshin të takoheshin me të tjerët, nuk lejoheshin të merrnin kontakte me farë e fisin e tyre dhe veprime të kësaj natyre, të cilat, në fund të fundit, shpinin ujë në mullirin e serbomëdhenjve… Asnjëherë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu nuk i pranuan këto qëndrime të Partisë sonë ndaj kosovarëve e Kosovës.
SOM 1
“Thëniet e tyre përputheshin plotësisht edhe me radiogramin që u përpilua nga Kadri Hazbiu, kurse me shkrim e bëri Skënder Konica, që në atë kohë ishte zëvendësdrejtor i zbulimit. Për të firmosur, e firmosa unë dhe pastaj iu dërgua përfaqësive… Di një gjë, që radiogrami që u përpilua, ishte në kundërshtim flagrant me qëndrimin dhe vijën e Partisë. Ishte pikërisht në kundërshtim me qëndrimin që ka mbajtur Partia jonë në vitin 1981, por dhe që gjatë luftës. Kjo dihet mirë nga tradhtari Mehmet Shehu dhe armiku Kadri Hazbiu, pra si e ka trajtuar Partia jonë çështjen e Kosovës”
SOM 2
“Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, edhe më vonë, në atë kohë dhe me Feçor Shehun si drejtor i Sigurimit, krijuan një atmosferë mbytëse për kosovarët, i ndiqnin këmba-këmbës. Nuk linin gjë pa bërë për të krijuar atë dyshimin tek ata, gjë që binte në sy. Kosovarët nuk lejoheshin të takoheshin me të tjerët, nuk lejoheshin të merrnin kontakte me farë e fisin e tyre dhe veprime të kësaj natyre, të cilat, në fund të fundit, shpinin ujë në mullirin e serbomëdhenjve. Asnjëherë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu nuk u pajtuan me këto qëndrime të Partisë sonë ndaj kosovarëve e Kosovës, por luftuan pa pushim në interesin e tyre armiqësor”
Diskutime rreth kësaj post