Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu thotë se Serbia është një faktor politik në Ballkan, për shkak të raporteve që ka me Rusinë dhe Kinën. Në një intervistë për mediat Mediu u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë Bashkimi Evropian, janë të interesuar që të mos krijojnë konflikt me Serbinë. “Unë mendoj që sot Serbia është një faktor shumë relevant politik në rajonin e Ballkanit, për faktin e thjeshtë se ka një raport të qartë me Rusinë dhe Kinën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë Bashkimi Evropian, janë të interesuar që të mos krijojnë konflikt me Serbinë. Madje duan ta tërheqin atë në raporte më të ngushta me NATO-n, me Bashkimin Evropian apo edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një vëmendje shumë të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë se çfarë ndodh në Beograd”, deklaroi ai.
Ndërkohë kryerepublikani Fatmir Mediu deklaroi se Shqipëria e ka ngritur zërin e saj për luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera globale, por diçka të tillë nuk po e bën për shqiptarët në Kosovë dhe situatën në Veri. Madje Mediu u shpreh se në disa raste, kryeministri Edi Rama është shprehur kundër interesave të Kosovës. Sipas tij, duhet mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare. “Po ta shikoni, Shqipëria flet fort me zë të fortë për Ukrainën, flet fort për çdo çështje globale, por për fatin e keq nuk flet për shqiptarët që ndodhen në Kosovë. Madje, mos të them që ndonjëherë ka bërë të kundërtën, me politikat e veta ka stimuluar marrëdhëniet me kundërshtarin dhe ka nënvlerësuar autoritetin dhe rolin e Kosovës, apo institucionet që kanë bërë dialogun për Kosovën. Pra, duket një politikë e cila duket në drejtim të kundërt me atë që duhet të ndodhë. Është spontane, është personale dhe unë mendoj se Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka detyrën për ta bërë atë institucionale”, nënvizoi Mediu.
Diskutime rreth kësaj post