Nga Oerd Bej
Që media shqiptare është në krizë nuk ka nevojë të mbështetemi vetëm në tregues empirikë por mjafton të nisemi nga emetimi i përmbajtjes mediatike e cila na shërbehet përditë në televizione.
Ajo çfarë më tërhoqi vëmendjen në lidhje me transmetimin e videos në televizionin News 24 gjatë këtyre ditëve nuk ishte aq përmbajtja e saj, sesa natyra e medias në të cilën kjo video u transmetua.
Më shumë sesa orari i transmetimit, më bëri përshtypje se cilat ishin gazetat që rastin në fjalë e morën “për ta trajtuar si një lajm” për publikun.
Mu duk interesante fakti që videoja u soll si çështje me interes për publikun pikërisht në një televizion informativ dhe në mediat print (dhe online) që janë brenda të njëjtës familje pronësie, dhe nuk u pasqyruan në asnjë nga mediat e tjera gjeneraliste.
Videoja në fjalë ka pasur trajtime të ndryshme në rrjetet sociale dhe në blogje, të cilat e panë herë si zhvendosje të qëllimshme e opinionit nga ana e medias, një lloj agenda setting për t’iu shmangur problematikave ekonomike-politike të vendit; teksa ka patur dhe reagime, që e trajtojnë çështjen si dëshmi dhe shënjues të dhunës ndaj gruas në hapësirën mediatike shqiptare.
Në gjykimin tim mendoj se rasti në fjalë është një shënjues i një problematike më të gjerë bashkëkohore në fushën e medias, të lidhur më së shumti me mënyrën menaxheriale – ekonomike të ndërtimit të medias në Shqipëri dhe jo atë të kulturës së gazetarit në shoqërinë tonë.
Pyetja që duhet shtruar në këtë rast në mendimin tim nuk është përse kemi dhunë, por përse transmetohet kjo dhunë? Më saktësisht, përse kjo dhunë transmetohet në një televizion informativ?
Dihet se televizionet informative në ndryshim nga televizionet gjeneraliste janë më të varfra për nga përmbajtja e programacionit, janë më të fokusuara drejt lajmit të fundit, për të mos thënë se transmetojnë vetëm lajmë gjatë gjithë ditës. Duke pasur këtë lloj strukture programacioni, televizioneve të specializuara në lajmet u duhet të rrinë gjithë kohës në fokus të audiencës, për të thithur sa më shumë reklama. Si rrjedhojë, duke pasur nevojë për sa më shumë vëmendje nga koha jonë e përditshme, këto lloj formatesh për të kapur audiencën u drejtohen lajmeve apo scoop-eve televizive, të cilat janë shumë të lira, me kosto produksioni pothuajse minimale, në raport me dokumentarët apo investigimet. Është kjo arsyeja përse mungon gazetaria e mirëfilltë në Shqipëri, ajo kërkon kosto të larta ekonomike dhe nuk “shet” më shumë sesa lajmet sensacionale.
Të gjendura përballë një situate ku jeta politike nuk ka se çfarë ofron, në një kohë kur parlamenti ka përfunduar sezonin, televizionet informative e kanë shumë të nevojshme të tërheqin vëmendjen e publikut, për shkak se dihet që koha televizive është ajo se çfarë televizionet shesin tek operatorët e ndryshëm ekonomikë.
Qasja kulturaliste ku faji gjendet tek shoqëria shqiptare që prodhon këto fenomene apo tek gazetari(a) e cila i transmeton ato nuk e shpjegon faktin se përse kemi kaq shumë kronikë të zeze gjatë kësaj periudhe. Për mendimin tim, nuk duhet gjetur faji tek gazetari që e transmeton videon në fjalë brenda emisionit, por gazetari dhe gazetaria i përkasin një hapësire menaxheriale – ekonomike të televizionit, ku përparësi nuk ka lajmi si informacion publik, por tërheqja e audiencës me sa më pak kosto ekonomike.
Rasti në fjalë tregon më së miri se ka ardhur koha që mediat, e sidomos mediat informative duhet të ndryshojnë modelin e tyre ekonomik dhe përmbajtjen mediatike për të qenë jo vetëm më afër publikut dhe për të respektuar kërkesat ligjore për informacionin, por më shumë për veten e tyre, për të qenë rentabël ekonomikisht dhe të konkurrueshme në treg.
Jo më kot po ndodh që rasti në fjalë “trajtohet” përditë nga e njëjta familje mediatike në shtypin print, duke e kthyer në një telenovelë për publikun. Media në fjalë ka nevojë për shikueshmëri dhe lexueshmëri për të tërhequr reklamat. E zbulon vetë “lajmin” dhe e trajton po vetë si “lajm” në dy mediume të ndryshme.
Unë besoj se është e vështirë të këtë një gazetar(i) të mirë në një hapësirë mediatike në krize ekonomike, e cila nuk është e rregulluar dhe nuk e mbron gazetarin dhe gazetarinë profesionale.
Sot gazetari shqiptar gjendet përballë presioneve ekonomike të cilat nuk e lënë të bëjë punën e tij duke e kthyer atë gjithmonë drejt një auto-censure, e cila është e dëmshme jo vetëm për median ku ai punon, por dhe për demokracinë të cilën kërkojmë të ndërtojmë. Këtu nuk po them se gazetarët janë të gjithë profesionistë në misionin e tyre, por se ata sot gjenden të pambrojtur dhe të pa organizuar akoma ligjërisht (fakt: asnjë nga shoqatat nuk ka reaguar).
Unë mendoj se sot ka ardhur momenti që, në vend se ta shohim problemin nga pikëpamja kulturore duke ja vënë fajin shoqërisë sonë që prodhon këto probleme, apo duke ia lënë fajin gazetarëve, duhet ta shikojmë problemin disi më gjerë. Ky model ekonomik-menaxherial i medias shqiptare nuk prodhon me informacion me vlerë për publikun dhe nuk është i konkurrueshëm në tregun shqiptar dhe atë të huaj. Ka ardhur momenti që gazetar të mos quajmë çdo person i cili shkruan, dhe më shumë ka ardhur momenti të mbrojmë gazetarin(ë) nga çdo lloj presioni ekonomik dhe politik që i kanoset.
Nuk duhet harruar që mediat janë agjentë po aq të rëndësishëm të kulturës në shoqëri sa janë dhe qendra ekonomike dhe pushteti. Ato sigurojnë diversitetin dhe pluralizmin në shoqëri, për një shoqëri sa më të lirë dhe demokratike.
Diskutime rreth kësaj post