Dështimi i bujshëm i Italisë ka si burim kryesor të ngjarjeve Xhani De Biazin. Mund të duket e çuditshme, por këtë interpretim japin edhe mediat e ndryshme në Itali.
Thuajse të gjithë janë në një mendje sa i përket faktit se Xhiampiero Ventura nuk ishte trajneri i duhur për Italinë dhe se Karlo Tavekio kishte gabuar gjithçka kur në vitin 2016 e zgjodhi si teknikun që do të drejtonte të kaltrit në atë që ishte një nga dështimet më të mëdha në historinë e përfaqësueses.
Në mediat italiane kujtohet se si Ventura erdhi në stolin e Italisë pas rekomandimit të Marçelo Lipit, i cili e kishte mik atë dhe Tavekion dhe që vetë do të merrte postin e drejtorit teknik në Federatë. Kjo shtyu Tavekion që të prishte marrëveshjen që kishte arritur me Xhani De Biazin.
Trajneri i cili drejtonte asokohe Shqipërinë ishte shumë pranë firmës me Federatën Italiane, pasi ishte takuar me drejtuesit më të lartë të saj disa herë në marsin dhe prillin e vitit 2016.
De Biazi do të drejtonte Shqipërinë në Euro 2016 dhe vetëm pas përfundimit të turneut do të merrte drejtimin e Italisë si pasuesi i Antonio Kontes. Gjithçka dukej pranë firmës deri në momentin që ndërhyri Lipi, i cili insistoi për Venturën dhe Tavekio iu bind fjalëve të mikut të tij që më pas nuk u lejua të bëhej drejtor teknik për konflikt interesi.
Por Ventura fitoi “garën” me De Biazin dhe pjesa tjetër është histori. Për mediat italiane, kjo histori mund të ishte krejtësisht ndryshe nëse Tavekio do t’i kishte qëndruar besnik fjalës dhe do të punësonte De Biazin.
Diskutime rreth kësaj post