“Bandat kriminale po ofrojnë ‘zbritje të sezonit festiv’ për emigrantët e paligjshëm që përpiqen të hyjnë në Britani, duke u tallur me përpjekjet e ministrave britanikë për të goditur fenomenin.”
Kështu shkruan “Daily Mail” në një shkrim ku tregon se trafikantët e njerëzve po përdorin reklama në mediat sociale për të promovuar marrëveshje me çmime më të ulëta, me një tarifë prej 5 mijë paundësh për person gjatë Krishtlindjeve, një zbritje prej 37,5 për qind, nga 8 mijë paund që është çmimi zakonisht.
Një reklamë shqiptare në TikTok, me një fotografi të pemës së Krishtlindjes në Covent Garden në Londrën Qendrore, u premton azilkërkuesve që përpiqen të kalojnë në Britani një normë ‘100 për qind sukses’.
Një reklamë e veçantë në Instagram për hapësirë në kamion ofron një ‘çmim’ për një udhëtim më 20 dhjetor: ‘Një person 6 mijë paund. Nëse jeni dy persona, 5 mijë paund secili.’
Daily Mail shkruan se bandat po përqendrojnë gjithnjë e më shumë reklamat e tyre në ofertat për të çuar emigrantët në Britani me kamionë, ndërsa një reklamë ofron një marrëveshje për t’i kaluar ata me avion për 14 mijë paund për person.
Këtë javë Rishi Sunak përballet me pengesën e parë parlamentare për projekt-ligjin e tij të urgjencës për të shpëtuar skemën e Ruandës.
Sunak tha se ai do të ‘vazhdojë me planin për të ndaluar anijet’ dhe se ai është plani i vetëm për t’i dhënë fund ‘tregtisë së keqe të bandave’.
Të dhënat e fundit të Home Office tregojnë se pothuajse 30,000 emigrantë kanë mbërritur në Britani me varka të vogla në vitin 2023.
Diskutime rreth kësaj post